Konflikti me dy aksionerëve në Aeroportin e Vlorës është thelluar edhe më shumë, teksa administratori i shoqërisë koncesionare VIA, që tashmë kontrollohet nga 2A Group e Valon Ademit, i ka hequr nënkontraktimin Mabcos së Behgjet Pacollit duke ndaluar punonjësit e kësaj të fundit të hyjnë në kantier.
Punimet në Aeroportin e Vlorës janë kryer sipas një skemë nënkontraktimi të barabartë mes dy shoqërive aksionerë në koncesion. Shoqëria koncesionare Vlora International Airport ose shkurt VIA, ka nënkontraktuar gjysmën e punimëve, përfshirë ndërtimin e pistës, tek shoqëria 2A Group e Valon Ademit dhe gjysmën tjetër, ku përfshihet ndërtimi i terminalit, tek Mabco e Behgjet Pacollit.
Por pak muaj më parë, kuotat e Mabco-s në koncesion u ngrinë nga gjykata, përfshirë e drejta e votës. Kjo bëri që administrimi i shoqërisë koncesionare VIA, t'i kalojë ortakut të minorancës, 2A Group të Valon Ademit, që emëroi dhe administratorin e ri të VIA-s duke vendosur Vegim Hoxhën.
Përmes një deklarate zyrtare Mabco bëri të ditur se tashmë zoti Hoxha ja ka hequr nënkontraktimin kësaj shoqërie.
"Mabco Constructions S.A. ka kontestuar kategorikisht çdo pretendim për “zgjidhje kontrate” dhe e konsideron atë një akt të paligjshëm, të kryer nga një administrator pa autoritet të ligjshëm. Çdo veprim i ndërmarrë nga pala me 2% të kuotave apo nga persona të emëruar prej saj në mënyrë të paligjshme, që synon përjashtimin e ortakut mazhoritar 98% nga kantieri, përbën një cenim të rëndë të të drejtave të tij si ortak, investitor dhe garantues financiar i projektit koncesionar," thuhet në njoftimin zyrtar të Mabco-s.
Të dy ortakët kanë akuzuar njëri tjetrin për vonesat në ndërtimin e Aeroportit. 2A Group pretendon se Mabco e Pacollit ka zvarritur ndërtimin e ndërtimin e terminalit duke mbajtur peng përfundimin e aeroportit, ndaj administratori ka vendosur ndërprerjen e kontratës. Nga ana tjetër Mabco akuzon 2A Groupin e Valon Ademit për vonesat.
"Ekipi ynë ligjor ka njoftuar që prej ditës së premte dhe sërish gjatë ditës së sotme: Prokurorinë e Vlorës; Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë; Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues; duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për mbrojtjen e rendit publik, ligjit dhe integritetit të Kontratës së Koncesionit," deklaroi Mabco.

Sipas saj, kjo situatë po rrezikon seriozisht sigurinë dhe rendin publik në kantier, e madje edhe hapjen e aeroportit.
"Ne duam të besojmë në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Mabco Constructions S.A. do të vazhdojë të ushtrojë të gjitha të drejtat e saj ligjore, civile dhe penale ndaj çdo personi apo subjekti që cenon investimin tonë dhe interesin publik," e ka mbyllur njoftimin zyrtar Mabco.