Biznes

Revoltë popullore në Spanjë për krizën e strehimit

Revoltë popullore në Spanjë për krizën e strehimit

Spanja është përfshirë nga një valë e jashtëzakonshme protestash popullore, ku dhjetëra mijëra qytetarë kanë mbushur rrugët e mbi 50 qyteteve kryesore, përfshirë Madridin, Barcelonën dhe Valencian.

Ajo që nisi si një pakënaqësi e heshtur ndaj kostove të larta të jetesës, tashmë është shndërruar në një revoltë të hapur shoqërore dhe një krizë të thellë politike që kërcënon qëndrueshmërinë e qeverisë.

Shkëndija që ndezi revoltën ishte dëbimi dramatik me barelë i Maricarmen Abascal, një pensionisteje 87-vjeçare, e cila u nxor forcërisht nga apartamenti ku jetonte prej shtatë dekadash në Madrid.

Rritja e papërballueshme e qirasë nga pronarët e rinj e ktheu të moshuarën në simbolin e një brezi të tërë qiramarrësish që po dëbohen nga spekulimet me pronat.

Kriza e strehimit në Spanjë është alarmante. Sipas Bankës së Spanjës, vendit i mungojnë rreth 700 mijë banesa. Vetëm brenda një viti, çmimet e shtëpive u rritën me 12.2%, ndërsa qiratë u rritën me 8.5% në shkallë vendi, duke kapur shifrën afro 10% në kryeqytet.

Qytetarët fajësojnë përhapjen pa kontroll të platformave të turizmit si Airbnb dhe fondet e pasurive të paluajtshme që po gllatërojnë tregun.

Në përpjekje për të qetësuar situatën, qeveria e majtë e Pedro Sánchez nxori me dekret emergjent një paketë masash për të ndaluar dëbimet deri në vitin 2030. Mirëpo, në një goditje të rëndë politike, Parlamenti spanjoll i rrëzoi këto dekrete; opozita e djathtë dhe partitë separatiste katalanase votuan kundër, duke i lënë qytetarët pa mbrojtje ligjore.

Reagimi popullor ka qenë i menjëhershëm dhe radikal. Sheshi "Puerta del Sol" në Madrid dhe qendra të tjera urbane janë mbushur me kampe çadrash, ndërsa netët po zgjohen nga zhurma e protestave "casserolazo" – ku qytetarët godasin tenxheret në shenjë revolte.

Duke deklaruar një shkëputje të plotë besimi nga klasa politike, Unionet e Qiramarrësve tashmë po organizojnë një grevë të përgjithshme kombëtare, duke refuzuar pagesat e qirave nëse nuk merren masa imediate.

Editorial