
Shqipëria do të blejë 1 miliardë metër kub gaz natyror të lëngshëm në vit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një marrëveshjeje afatgjatë 20 vjeçare. Ky është burimi energjetik, i cili synon ta shndërrojë Vlorën në një qendër energjetike të Ballkanit, paralelisht me investime madhore në infrastrukturë.
Gazi i lëngshëm i importuar nga SHBA përmes konsorciumit amerikano grek Venture Global-Aktor do të rigazifikohet në një terminal të posaçëm në Vlorë. Një pjesë e tij do të furnizojë termocentralin e Vlorës, i cili përvecse do të transformohet me gaz do të zgjerohet dhe 2.5 herë të tjera në kapacitet.
"Kjo marrëveshje parashikon rijetëizimin e TEC-it të Vlorës. Së dyti, zbatimin e kapacitetetit të brezit të dytë prej 250 mega dhe riklasifikimi i infrastrukturës përfshirë depozitimin," tha ministri i Energjisë Enea Karakaci.
Paralelisht do të ndërtohet tubacioni Vlorë Fier, i cili lidh gazin e importuar nga SHBA-të me gazsjellësin Transadriatik në pikën e daljes në Fier për t;u transportuar më pas drejt tregjeve të tjera.
"Qendra energjetike e Vlorës mund ta përcaktojë vendin tonë si një portë strategjike energjetike në rajonin e Ballkanit. Duke lidhur importin e gazit të lëngshëm me tregun ne mund të kemi rrugë të diversifikuara duke rritur rezistencën dhe sigurinë energjetike. Një nga aspektet me të rëndësishme është që siguria vjen nga një furnizim i vazhdueshëm dhe këtu bashkepunimi ynë me SHBA është thelbësor," tha Karakaçi.
Që nga çlirimi i Shqipërisë nga ekonomia e centralizuar, investimet amerikane në Shqipëri kanë qenë të papërfillshme dhe shpesh tangenciale. Kjo është hera e parë, kur amerikanët kanë ardhur të bëjnë biznes seriozisht në Shqipëri, dhe marrëveshja është shtyrë fort nga Presidenti Trump përmes ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle.
Përveçse rrit sigurinë energjetike të vendit dhe i ofron Shqipërisë mundësi të fitojë para, marrëveshja ka dhe dividentin e sigurisë që ofrojnë interesat ekonomikë të SHBA-ve.
"Bëhet fjalë për një angazhim prej rreth 6 miliardë dollarësh, i cili pritet të forcojë jo vetëm sigurinë energjetike, por edhe atë kombëtare në të gjithë rajonin. Në momentin kur Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Greqia bashkëpunojnë, ky rajon bëhet më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë”, u shpreh Guilfoyle duke vlerësuar kontributin e zyrtarëve të lartë amerikanë në këtë proces.
Projekti madhor për furnizimin e Europës Juglindore me gazin e lëngshëm amerikan mori jetë vitin e kaluar, kur kompania greke Aktor, e cila në Shqipëri ka ndërtuar një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore-tunelin e Elbasanit-, nënshkroi një marrëveshje me gjigandin amerikan Venture Global, të Michael Sabel për të importuar gaz të lëngshëm për 20 vjet.

Falë kësaj marrëveshje, Shqipëria u bë pjesë e projektit gjigand, i cili synon të heqë përfundimisht Europën nga varësia e gazit rus.