Banka e Shqipërisë miratoi licencën për bankën bujqësore turke Ziraat, disa muaj pas dhënies së miratimit paraprak.
Përmes një njoftimi zyrtar BSH bëri të ditur se vendimi për liçencimin e bankës së dytë turke në Shqipëri, pas BKT, është marrë në mbledhjen e datës 6 maj të Këshillit Mbikqyrës.
"Në përputhje me dokumentacionin e paraqitur në Bankën e Shqipërisë, është shqyrtuar aplikimi i "Degës së Bankës Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania" për pajisjen me licencë për ushtrimin e veprimtarisë bankare dhe financiare në mbështetje të kërkesave të ligjit 9662/ 2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe të rregullores së Këshillit Mbikëqyrës 14/2009 “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë, e ndryshuar. Në bazë të këtij vendimi, "Dega e Bankës Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania" do të ushtrojë veprimtaritë bankare dhe financiare, në përputhje me kushtet dhe kërkesat e licencës së miratuar nga Banka e Shqipërisë," thuhet në njoftimin e BSH.
Ziraat Bank është një bankë tregtare që operon në Republikën e Turqisë prej vitit 1863, me licencë të vlefshme bankare dhe leje operimi nën mbikëqyrjen e Agjencisë së Rregullimit dhe Mbikëqyrjes Bankare. Jashtë territorit të Turqisë, aktiviteti i saj shtrihet edhe në disa shtete të tjera, si: Mbretëria e Bashkuar, Bullgaria, Greqia, Kosova, Qiproja Veriore, etj.
Kjo bankë është e fokusuar kryesisht në kreditimin e aktiviteteve të lidhura me bujqësinë, ndaj mbërritja e saj në Shqipëri pritet të krijojë më shumë hapësira financimi për sektorin e nënkredituar të bujqësisë.
Me liçencimin e Ziraat, numri i bankave në Shqipëri arrin në 13, shumica prej të cilave me kapital të huaj dhe një pjesë më e vogël me kapital vendas.
Pak muaj më parë, BSH liçencoi edhe bankën e parë dixhitale në vend, Jet Bank.