
Ndonëse numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë këtij viti ka shënuar një rritje relativisht të ulët, Banka e Shqipërisë thotë se të ardhurat e ekonomisë nga ky sektor janë rritur në ritme dyshifrore.
Të dhënat e sapopublikuara në Bilancin e Pagesave tregojnë se ekonomia shqiptare përfitoi 4.4 miliardë euro nga turizmi për periudhën Janar-Shtator të këtij viti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat që përfitoi Shqipëria nga turizmi janë rritur sipas BSH me 15.3 për qind, në një kohë që numri i turistëve të huaj u rrit me vetëm 6.3 për qind.

Kjo do të thotë se turistët e huaj kanë shpenzuar më shumë këtë vit. Saktësisht nga kryqëzimi i të dhënave të raportuara nga INSTAT dhe BSH, rezulton se për 9 mujorin një udhëtar që ka hyrë në Shqipëri shpenzoi mesatarisht 430 euro gjatë qëndrimit në vendin tonë.
Për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shifra mesatare e shpenzimeve për çdo turist të huaj që hyri në territorin e Shqipërisë ishte 398 euro.
Të dhënat e Bilancit të paPesave tregojnë se për të gjithë vitin e kaluar, Shqipëria përfitoi 5 miliardë euro nga turizmi. Për këtë vit tendenca e 9 muajve të parë sinjalizon se shifra e të ardhurave që raportohen nga turizmi mund t'i afrohen nivelit 6 miliardë euro.
Por pavarësisht rritjes së shifrave të turizmit që raporton nga BSH, kompanitë e mallrave të konsumit ankohen për stanjacion të shitjeve dhe konsumit.