Lajme nga vendi

Kinezët ikin nga bakri shqiptar

Kinezët ikin nga bakri shqiptar

Tre kompanitë kineze që zotëronin 50 për qind të aksioneve në koncesionin më të madh të bakrit në Shqipëri, janë larguar duke i shitur kuotat tek ortaku i tyre turk Ekin Maden Ticaret.

Struktura e pronësisë së Beralb sha, kompanisë që zotëron praktikisht të gjitha industrinë e bakrit në Shqipëri, ka pësuar ndryshime. Tashmë kjo kompani zotërohet 100 për qind nga Erol Kohen, një hebre turk përmes kompanisë së tij Ekin Maden Ticaret. Transaksioni ka ndodhur në Turqi.

Shoqëria Beralb zotërohet 100 për qind nga një kompani turke e quajtur Nesko Metal. Aksionet e kësaj të fundit zotëroheshin 50 për qind nga Ekin Maden e Erol Kohen dhe 50 për qind nga tre kompani kineze të quajtura Jiangxi Copper, Bejing Metal dhe CRM International.

Por pak ditë më parë, të treja kompanitë kineze kanë vendosur t'i shesin kuotat e tyre tek ortaku turk Ekin Maden, që bëhet kështu pronari i vetëm i Beralb sha, koncesionarit më të madh të bakrit në Shqipëri.

Kinezët ikin nga bakri shqiptar

Erdogan dhe Erol Kohen, pronari i bakrit shqiptar

Vlera e transaksionit nuk është bërë publike. Por vitin e kaluar kompania Beralb realizoi mbi 40 milionë euro të ardhura dhe një fitim neto prej 1.8 milionë eurosh. Kompania punëzon me 420 vetë në Shqipëri dhe zotëron minierat më të mëdha të bakrit në vend si dhe disa fabrika pasurimi.

Kompania ka qenë në qendër të kritikave për dëme mjedisore, veçanërisht në zonën e Fushë Arrëzit.

 

Editorial