Një pagesë apo transfertë bankare prej 50 mijë eurosh drejt vendeve të Europës nga sot do të kushtojë vetëm 5 euro komision. Bankat shqiptare nisën ofrimin e transfertave në Zonën Unike të Pagesave në Euro duke sjellë uljen në minimum të komisioneve për pagesat apo transfertat që qytetarët shqiptarë bëjnë jashtë ose anasjelltas.
Një muaj më parë, BSH miratoi një rregullore të posaçme në të cilën vendosi tavanet maksimale për komisionet, që bankat mund t'u ngarkojnë qytetarëve ose bizneseve për pagesat elektronike që ata kryejnë brenda vendit. Por me hyrjen e Shqipërisë në SEPA, këtë të martë, këto komisione janë automatikisht të detyrueshme edhe për transfertat apo pagesat jashtë vendit.
Komisionet për transfertat në lekë
Deri më tani qytetarët shqiptarë mund të kryenin pagesa elektronike deri në 20 mijë lekë, përmes aplikacioneve e-banking të instaluar në telefonat e tyre, pa komision. Me rregulloren e re kjo shumë rritet në 40 mijë lekë. Pra tashmë qytetarët mund të paguajnë edhe këstet e kredisë deri në 40 mijë lekë nga telefoni i tyre, pa paguar asnjë komision.
Së dyti, për pagesat elektronike nga 40 mijë deri në 1.5 milionë lekë, komisioni ulet nga 500 lekë që është aktualisht, në 50-75 lekë.
Së treti, për pagesat elektronike nga 1.5 deri në 10 milionë lekë, komisioni ulet nga 1500 lekë që është aktualisht në 75-500 lekë.
Ndërsa për pagesat më të larta se 10 milionë lekë, komisioni maksimal që mund të mbajnë bankat kufizohet në 750 lekë.
Komisionet për veprimet në euro
Për pagesat në euro komisioni ulet nga 0.1 për qind e vlerës në 0.01 për qind e vlerës.
Kështu, nëse për të transferuar 50 mijë euro nga një bankë private shqiptare tek një tjetër bankë private shqiptare deri më tani paguhej 50 euro komision. Me rregulloren e re banka nuk mund të mbajë më shumë se 5 euro komision si për transfertën drejt bankës shqiptare ashtu edhe për atë drejt një banke të huaj të zonës Sepa.
Pra nga sot, qytetarët shqiptarë do të paguajnë të njëjtat komisione të ulura edhe për transfertat apo pagesat jashtë.
"Ky është një standard evropian që sot bëhet realitet për Shqipërinë, duke e vendosur infrastrukturën tonë të pagesave në të njëjtin nivel me vendet e BE-së. Integrimi në SEPA, i kombinuar me zgjerimin e pagesave digjitale, pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë euro në vitin e parë, me rritje progresive në vijim. Për analogji, sistemi AIPS Euro i Bankës së Shqipërisë, i cili operon që nga janari 2022, i ka kursyer tregut vendas rreth 140 milionë euro. Kjo tregon se ndikimi i SEPA-s do të jetë edhe më i gjerë, duke përfshirë uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit operativ për qytetarët dhe bizneset," deklaroi guvernatori Gent Sejko.