
Kredia për ekonominë kapërceu për herë të parë në historinë e Shqipërisë shifrën e 1 mijë miliardë lekëve në muajin korrik.
Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se stoku i kredisë që bankat kanë dhënë për biznesin dhe qytetarët rezultoi 1 mijë miliardë e 709 milionë lekë ose në rreth 10.8 miliardë euro me kursin aktual.

Sipas BSH, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, teprica e kredisë në ekonomi u rrit me 107.6 miliardë lekë ose 1 miliardë e 160 milionë euro.
Të dhënat e detajuara tregojnë se rritja më e fortë nga ardhur nga segmenti i individëve. Kredia për individët u rrit me 62 miliardë lekë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar duke arritur në rreth 423 miliardë lekë. Ndërsa kredia e biznesit u rrit me 51 miliardë lekë duke arritur në 541.3 miliardë lekë.

E ndarë sipas valutës, ecuria e kredidhënies tregon dy panorama të ndryshme. Qytetarët janë duke marrë vetëm kredi në lekë, ndërsa në rastin e biznesit gati 63 për qind e kredisë së re është dhënë në euro.
Përgjatë dy viteve të fundit Shqipëria po përjeton një rritje të shpejtë të kreditimit. Vitin e kaluar Banka e Shqipërisë ndërhyri me masa kufizuese për të shtrënguar kredimin e individëve, por me sa duket rritja e shpejtë ka vazhduar pavarësisht shtrëngimeve rregullatore.