Lajme nga vendi

Kroatët e Dalekovod do të ndërtojnë nënstacionin e ri elektrik në qendër të Tiranës për 19.9 mln euro

Kroatët e Dalekovod do të ndërtojnë nënstacionin e ri

Një investim me vlerë 19.9 milionë euro do të realizohet në qendër të Tiranës për ndërtimin e një nënstacioni të ri nëntokësor të energjisë elektrike, i cili synon të rrisë kapacitetet e rrjetit dhe sigurinë e furnizimit me energji në kryeqytet.

Kompania kroate Dalekovod, në kuadër të një bashkimi operatorësh ekonomikë, ka nënshkruar kontratën për realizimin e projektit “Tirana Center 110/20 kV”, me porositës kompaninë shtetërore shqiptare të energjisë, OSHEE Group.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Dalekovod përmes një njoftimi të publikuar në Bursën e Zagrebit.

Vlera prej 19.9 milionë eurosh përfaqëson shumën totale të kontratës së fituar nga bashkimi i operatorëve, ndërsa kompania kroate nuk ka specifikuar pjesën financiare që i takon individualisht në këtë projekt.

Katër transformatorë me kapacitet 200 MVA

Projekti parashikon ndërtimin e një nënstacioni modern nëntokësor të teknologjisë GIS (Gas Insulated Switchgear), i cili do të pajiset me katër transformatorë fuqie, secili me kapacitet 50 MVA.

Në total, fuqia e instaluar e transformatorëve do të arrijë në 200 MVA, duke krijuar kapacitete të konsiderueshme për transformimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike në zonën qendrore të kryeqytetit.

Nënstacioni do të përfshijë gjithashtu tetë fusha GIS në nivelin e tensionit 110 kV, si dhe sisteme të integruara për mbrojtjen, kontrollin dhe automatizimin e rrjetit.

Kontrata përfshin realizimin e punimeve të nevojshme ndërtimore, instalimet elektrike dhe vendosjen në funksion të sistemeve ndihmëse të nënstacionit.

Teknologjia GIS mundëson ndërtimin e infrastrukturës elektrike në hapësira më të kufizuara krahasuar me nënstacionet konvencionale, duke qenë veçanërisht e përshtatshme për zonat urbane me dendësi të lartë ndërtimi.

Investimi synon të rrisë sigurinë e furnizimit me energji në Tiranë

Ndërtimi i nënstacionit të ri pritet të kontribuojë në rritjen e besueshmërisë dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike në kryeqytetin shqiptar.

Projekti është pjesë e përpjekjeve shumëvjeçare për modernizimin e rrjetit elektrik të Tiranës dhe zgjerimin e kapaciteteve të sistemit të shpërndarjes.

Rritja e ndërtimeve, zgjerimi i aktiviteteve ekonomike dhe përqendrimi i bizneseve e shërbimeve në kryeqytet kanë shtuar nevojën për investime në infrastrukturën energjetike.

Në këtë kontekst, ndërtimi i një nënstacioni nëntokësor në qendër të Tiranës përfaqëson një ndërhyrje të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës elektrike në një prej zonave me përqendrimin më të lartë të konsumit.

Megjithatë, në informacionin e publikuar nga Dalekovod nuk jepen detaje mbi afatin e përfundimit të punimeve apo vendndodhjen e saktë të objektit.

ekofin

Editorial