Epidemia globale e rritjes së interesave për bondet sovrane ka prekur dhe Shqipërinë. Qeveria shqiptare po përballet me një shtrenjtim të ndjeshëm të kostos së borxhit, veçanërisht atij afatgjatë, duke reflektuar dinamikat e brendshme monetare, por edhe një trend agresiv global që ka përfshirë tregjet ndërkombëtare të obligacioneve.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e fundit të Obligacioneve Kombëtare 7-vjeçare, interesi kërceu në 5.25%. Kjo përfaqëson një rritje të ndjeshme prej +1.14 pikë përqindjeje krahasuar me periudhën shkurt-mars të këtij viti, ku interesi u fiksua në 4.11%.
Ky zhvillim në tregun vendas është një pasqyrim i asaj që po ndodh në arenën ndërkombëtare. Për të frenuar valën e inflacionit post-krizë, bankat qendrore më të fuqishme në botë—si Rezerva Federale e SHBA-ve (Fed) dhe Banka Qendrore Evropiane —kanë ndjekur politika monetare shtrënguese, duke mbajtur normat bazë të interesit në nivele të larta.
Ky shtrëngim ka sjellë një rritje zinxhir të yield-eve të bondeve globale (si US Treasuries dhe Bunds gjermane). Në këtë realitet të ri, investitorët nuk pranojnë më kthime të ulëta. Ata kërkojnë një "premi inflacioni" më të lartë për të kompensuar humbjen e fuqisë blerëse të parasë përgjatë viteve.
Paralelisht ai faktorizon edhe rritjen e inflacionit në tregun e brendshëm, si dhe pritshmëritë e investitorëve për një inflacion më të lartë në vijim.
Ankandi
Fakti që investitorët po kërkojnë kupona më të lartë tregon se ata parashikojnë që inflacioni ose kostot e parasë do të mbeten të qëndrueshme në vitet në vijim. Për të blerë borxhin 7-vjeçar të shtetit shqiptar, tregu kërkoi interesa deri në 5.49% (yield-i maksimal i kërkuar).
Për të siguruar financimin, Ministria e Financave pranoi një kupon përfundimtar prej 5.25%. Edhe pse interesi ishte më i kripur për buxhetin e shtetit, kërkesa totale nga bankat dhe fondet e investimeve arriti në 5.8 miliardë lekë, çka tregon se tregu ka etje për këto nivele të reja kthimi që arrijnë të mbulojnë dhe të tejkalojnë normën aktuale të inflacionit në vend.
Ndërsa për investitorët dhe kursimtarët e mëdhenj ky kërcim në 5.25% është një mburojë e shkëlqyer ndaj inflacionit, për financat publike kjo përfaqëson një faturë të rëndë.
Borxhi i ri që po merr shteti për të financuar projektet apo për të rifinancuar vjetërsimet do të kushtojë më shtrenjtë. Rritja e shpenzimeve për interesat e borxhit do të thotë se një pjesë më e madhe e taksave të qytetarëve do të shkojë për të paguar këto kupona, duke lënë më pak hapësirë buxhetore për investime publike apo politika sociale. Në këtë mënyrë, inflacioni global po kthehet në një kosto direkte edhe për buxhetin e shtetit shqiptar.