Jo shumë kohë më parë, Shqipëria u trondit nga një mashtrim masiv me platformat online, ku mijëra qytetarë kryesisht në zonën e Myzeqesë humbën paratë e tyre.
Një projektligj i ri i propozuar nga qeveria, në kuadrin e detyrimeve të anëtarësimit në BE, synon të shmangë një herë e përgjithmonë mashtrimet me këto platforma, duke u vendosur detyrime të rrepta transparence.
Konkretisht projektligji prek tregtinë e kriptoaseteve. Tregu i kriptomonedhave në Shqipëri, i cili për vite me radhë ka operuar në një zonë të hirtë rregullatore, po hyn zyrtarisht nën kontrollin e rreptë të shtetit.
Përmes draftit, Shqipëria do të transpozojë plotësisht rregulloren e famshme evropiane të njohur si MiCA (Markets in Crypto-Assets). Nisma synon t'i japë fund "anarkisë digjitale" duke vendosur rregulla të forta loje për emetimin, transferimin dhe tregtimin e aseteve digjitale.
Mburoja e re për qytetarët: Fundi i skemave piramidale dhe mashtrimeve
Për publikun e gjerë dhe investitorët e vegjël, ky ligj funksionon si një garanci sigurie. Kompanitë ose individët që krijojnë apo nxjerrin në shitje një kriptomonedhë të re në Shqipëri detyrohen të publikojnë një dokument të detajuar informues, që quhet Whitepaper.
Ky dokument duhet të shpjegojë pa hile rreziqet, planin e biznesit dhe kush fshihet pas projektit. Qytetarët që thjesht blejnë ose investojnë nuk kanë asnjë detyrim për të bërë një dokument të tillë; ata janë thjesht përfituesit e këtij informacioni dhe mbrojtje.
Paralelisht, bursat ku qytetarët mbajnë paratë e tyre digjitale detyrohen të instalojnë sisteme të larta të sigurisë kibernetike për të parandaluar vjedhjen e portofolave të klientëve. Ligji penalizon rreptësisht përhapjen e informacioneve të rreme apo skemat artificiale për ngritjen dhe uljen e qëllimshme të çmimeve në treg.
Rregullat e reja për firmat: Licencim, kapital minimal dhe "pasaporta" drejt BE-së
Për bizneset e teknologjisë dhe financës digjitale, epoka e operimit pa licencë ka mbaruar. Çdo bursë, ofrues portofoli apo këshilltar i kriptove duhet të kalojë në filtrat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Bankës së Shqipërisë.
Aktorëve të tregut u vendosen kushte strikte. Kompanitë duhet të kenë fonde të mjaftueshme garantuese për të mbuluar humbjet e mundshme dhe për të dëmshpërblyer klientët. Çdo qytetar që dëshiron të investojë duhet të identifikohet me kartë identiteti. Kjo bëhet për të parandaluar që kriptomonedhat të përdoren për pastrim parash apo financim terrorizmi.
Po firmat e huaja? Ligji përcakton se çdo kompani e huaj (p.sh. një bursë e regjistruar në Spanjë) që synon në mënyrë aktive tregun shqiptar përmes reklamave apo marketingut, duhet gjithashtu të licencohet dhe të njohë autoritetet shqiptare.