
Tregu i ndërtimit dhe konsulencës në Shqipëri ka regjistruar një lëvizje të rëndësishme kapitali. Biznesmeni Besnik Leskaj ka dalë nga kompania Abkons duke ja shitur atë plotësisht ortakut të tij Redjan Basha për një cmim bazë prej 2.64 milionë euro, por që në vijim mund të rezultojë më i lartë.
Abkons zotërohej nga dy ortakë. Blessed Investments e Besnik Leskajt zotëronte 70 për qind të aksioneve, ndërsa 30 për qindëshi tjetër zotërohet nga Capital B e Redjan Bashës. Pas transaksionit, Capital B, pra Redjan Basha, do të bëhet aksioneri i vetëm i Abkons duke marrë kontrollin e plotë të shoqërisë.

Redjan Basha
Sipas kontratës së nënshkruar më 21 gusht 2026, Leskaj i ka shitur 70 për qind të aksioneve që zotëronte, tek aksioneri i pakicës Redjan Basha dhe çmimi bazë i shitjes së kuotave është caktuar në 2,637,123.58 Euro (~2.64 milionë Euro).

Kjo vlerë do t'i paguhet kompanisë së Leskaj me dy këste: i pari prej 1.77 milionë Euro lëvrohet menjëherë, ndërsa kësti i dytë prej 862 mijë Euro do të shlyhet brenda një afati prej 18 muajsh. Marrëveshja përfshin gjithashtu një bonus performance prej 500 mijë Euro nëse të ardhurat e Abkons kalojnë vlerën e 50 milionë Eurove në 5 vitet e ardhshme.
Si kusht paraprak për mbylljen e këtij transaksioni, vetë kompania Abkons SHPK ka likuiduar një divident të prapambetur prej 164.2 milionë ALL (rreth 1.78 milionë Euro) që ua detyrohej ortakëve të Blessed Investment për vitet ushtrimore 2022-2025.
Për të financuar këtë shlyerje dividenti dhe për të paguar këstin e parë të blerjes, Abkons mori një kredi prej 3.5 milionë Euro nga Raiffeisen Bank si huamarrës kryesor, ku Capital B iu bashkua kontratës si bashkëkredimarrës.

Kjo paketë financimi u sigurua përmes një marrëveshjeje të barrës siguruese. Si garanci u vendosën në peng të gjitha kuotat e Abkons SHPK, një vilë në Gjirin e Lalëzit, si dhe 500 m² ndërtim i ardhshëm nga projektet e Capital B, nën garancinë personale të pronarit të saj, Redjan Basha.
Vitin e kaluar Abkons arkëtoi 5.5 milionë euro të ardhura dhe realizoi një fitim neto prej 680 mijë eurosh.