Lajme nga vendi

Wizz Air lë pasagjerët dy ditë në aeroportin e Barcelonës/ Kompania reagon pas tre ditësh duke fajësuar motin

Wizz Air lë pasagjerët dy ditë në aeroportin e

Një situatë kaotike është krijuar me kompaninë ajrore Wizz Air, pasi dhjetra pasagjerë shqiptarë kanë mbetur në aeroportin e Barcelonës, pa mundur të udhëtojnë drejt Tiranës.

Ditën e djeshme ishte planifikuar një fluturim nga Barcelona drejt Tiranës. Fillimisht, fluturimi u shty për në orën 03:00 të mëngjesit, ndërsa më pas u anulua fare.

Pasagjerëve iu dhanë bileta për fluturimin e radhës, i cili ishte planifikuar për sot në drekë.

Por, pasi kanë shkuar në aeroport dhe kanë kaluar deri te porta e imbarkimit (Gate), pasagjerëve u është komunikuar se biletat e tyre nuk ishin të vlefshme.

Wizz Air lë pasagjerët dy ditë në aeroportin e

Aktualisht, pasagjerët kanë mbetur në aeroport dhe, sipas tyre, nuk po marrin asnjë përgjigje apo zgjidhje, as nga kompania ajrore dhe as nga autoritetet shqiptare.

Përfaqësuesit e Wizz Air në Barcelonë nuk kanë dhënë asnjë përgjigje konkrete, duke u kërkuar pasagjerëve të kontaktojnë numrin qendror të kompanisë. Por edhe ky komunikim nuk ka qenë i mundur, pasi telefonata drejtohet vetëm nga një sistem automatik.

“Kemi dy ditë që rrimë në aeroport dhe sot, që marrim në telefon Ministrinë e Jashtme dhe Ambasadën Shqiptare në Spanjë, askush nuk përgjigjet”, shprehet një prej pasagjerëve për Vox News.

Këtë të hënë, kompania reagoi duke thënë se fluturimi u anullua për shkak të kushteve të këqija të motit. 

"Wizz Air konfirmon se fluturimi W4 5153 nga Tirana drejt Barcelonës, të dielën, më 4 tetor, u anulua si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike në Barcelonë. Siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit tonë mbetet gjithmonë prioriteti ynë kryesor. Falënderojmë pasagjerët tanë për durimin dhe mirëkuptimin," deklaroi Wizz përmes një njoftimi zyrtar. 

Voxnews

Editorial