Brenda më pak se 24 orësh, Paketës së Re Fiskale 2027 i ka rënë një nga shtyllat më të debatueshme të saj, akoma pa shkuar në Kuvend. Pasi draftet teknike të Ministrisë së Financave zbuluan një plan agresiv për të rritur tatim-fitimin e korporatave nga 15% në 17% (një lëvizje që do t’i kushtonte biznesit miliarda lekë shtesë), kryeministri Edi Rama bëri një kthesë të beftë sot gjatë prezantimit zyrtar pas mbledhjes së qeverisë.
"Nuk do ta rritim normën e tatimit mbi fitimin për biznesin, ajo do të mbetet 15%", deklaroi Rama, duke u përpjekur të qetësojë ujërat e trazuara të sipërmarrjes që prej ditës së djeshme. Biznesi i vogël gjithashtu do të vijojë të mbajë taksën zero mbi fitimin deri në vitin 2029.
Por kjo tërheqje nuk do të thotë se buxheti nuk do të marrë paratë e synuara. Përkundrazi, barra thjesht është zhvendosur gjetkë, duke krijuar një skemë tjetër presioni mbi kapitalin dhe konsumatorët.