Bizneset shqiptare mund të krijojnë shoqëri aksionere me kompani të tjera nga vendet e Bashkimit Europian. Qeveria ka dërguar në Kuvend një projektligj, i cili i hap rrugë krijimit në Shqipëri të të ashtuquajturave shoqëri "Shoqëri Europiane" ose Soicetas Europaea SE.
Shoqëritë Europiane mund të formohen nga dy ose më shumë kompani, të cilat kanë seli në vende të ndryshme të Europës. Sipas projektligjit, i cili transpozon direktivën përkatëse të Bashkimit Europian për statutin e këtyre shoqërive, Shoqëritë Europiane janë shoqëri aksionare, kapitali i të cilave ndahet në aksione.
"Kapitali i SE-së shprehet në euro. Kapitali minimal i nënshkruar nuk mund të jetë më i ulët se 120 mijë euro ose ekuivalenti në lekë në datën e themelimit" sanksionohet në projektligj.
Drafti lejon që kompanitë shqiptare mund të hyjnë në ortakëri me kompani nga vendet e Bashkimit Europian për të krijuar një Shoqëri Europiane. Selia e shoqërisë mund të jetë në njërin vend të BE-së ose në Shqipëri. Kur vendoset që shoqëria të jetë me bazë në Shqipëti, atëherë ajo duhet të regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
"SE-ja regjistrohet në regjistrin tregtar të mbajtur nga Qendra Kombëtare e Biznesit, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi për regjistrimin e shoqërive aksionare dhe me dispozitat e këtij ligji. SE-ja fiton personalitetin juridik ditën e regjistrimit të saj në regjistrin tregtar të mbajtur nga QKB-ja. Emri i shoqërisë evropiane në regjistrin tregtar të QKB-së duhet të ndiqet nga shkurtimi “SE”. Statuti i SE-së duhet të përcaktojë selinë e shoqërisë, në përputhje me kërkesat e ligjit shqiptar për tregtarët dhe shoqëritë tregtare," thuhet në projektligj.
Projektligji argumentohet nga një sërë faktorësh që lidhen me përparësitë strategjike dhe adresimin e problematikave ekzistuese. Së pari, përparësia kryesore e kësaj ndërhyrjeje është forcimi i harmonizimit ligjor me acquis communautaire të Bashkimit Evropian në fushën e së drejtës së shoqërive tregtare.
"Mungesa e deritanishme e dispozitave mbi shoqëritë evropiane e vendos Shqipërinë në pozitë jo të favorshme, krahasuar me vendet e BE-së, pasi krijon boshllëk në harmonizimin me kapitullin 6 dhe pengon shoqëritë tona të shfrytëzojnë mundësitë e ofruara nga kjo formë juridike. Transpozimi i rregullores SE dhe direktivës së përfshirjes së punonjësve do të përmbushë një detyrim integrues dhe do të mbyllë një nga mangësitë e identifikuara në raportet e progresit të Komisionit Evropian," argumenton qeveria në relacionin shoqërues të projektligjit.
Por përmbushja e një kushti në procesin integrimit nuk është përfitimi i vetëm që sjell krijimi i shoqërive europiane.
"Njëkohësisht, përparësi kombëtare është rritja e konkurrueshmërisë dhe tërheqja e investimeve: duke mundësuar krijimin e shoqërive evropiane në Shqipëri, bizneset vendase do të kenë një instrument ligjor më shumë për t’u zgjeruar në tregjet e huaja, ndërsa grupet ndërkombëtare do ta kenë më të lehtë të vendosen në Shqipëri në formën e një shoqërie të bashkuar evropiane. Kjo pritet të sjellë rritje të investimeve të huaja direkte dhe integrimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare me atë të BE-së, pasi SE-ja ofron unifikim të identitetit ligjor dhe fleksibilitet organizativ për operim ndërkufitar," thuhet në relacion.
Sipas qeverisë, përvoja në vende si Gjermania tregon se SE-të kanë mundësuar zgjerim ndërkombëtar të firmave dhe ulje të kostove administrative për grupet shumëkombëshe. Nga ana tjetër, problematikat e adresuara lidhen kryesisht me boshllëkun ekzistues ligjor dhe implikimet negative të status quo-së aktuale. Aktualisht, asnjë ndërmarrje shqiptare apo e huaj në vend nuk mund të adoptojë formën e SE-së, gjë që kufizon operacionet e tyre ndërkufitare dhe mundësitë për zgjerim e efikasitet në tregun e BE-së.
"Kjo situatë i detyron shoqëritë e interesuara ose të kufizohen brenda formave kombëtare (p.sh. shoqëri aksionare shqiptare) ose të regjistrojnë seli jashtë Shqipërisë për të krijuar një SE sipas legjislacioneve të huaja, një zgjidhje e komplikuar dhe me humbje për ekonominë kombëtare," përfundon argumentimi i qeverisë për draftin e shoqërive europiane.