Ismail Ahmeti ishte një burrë i madh dhe qëndroi ashtu deri në ditën e fundit të jetës së tij. Jo sepse ishte drejtori që ndërtoi të vetmet asete të mirëfillta strategjike të Shqipërisë atëherë edhe sot, hidrocentralet mbi kaskadën e Drinit. As sepse ishte ministri që rrinte me traktoristët në Shkodër, me të cilët kishte punuar, para se të bëhej ministër.
Ismail Ahmeti ishte një burrë i madh sepse kishte një zemër të madhe dhe integritet të jashtëzakonshëm.
Deri nga fundi i viteve 2000, Trissi i tij ishte kompania më e madhe e ndërtimit në Shqipëri. E pakonkurrueshme nga asnjë tjetër, jo vetëm në peshën e tregut dhe veprave të realizuara, por edhe nga ekspertiza. Por Trissi u mbyll si përçmim ndaj korrupsionit.
Sapo në Shqipëri filloi historia e rryshfeteve për të marrë tendera, Ismail Ahmeti bëri atë që deri më sot nuk e ka bërë dot askush. Mbylli kompaninë më të madhe të ndërtimit në Shqipëri dhe kjo ishte revolta e tij me Shqipërinë që po vinte.
Për një biznesmen nuk ka sakrificë më të madhe se sa të mbyllë krijesën ku ka investuar gjithë jetën e tij. Por neveria që ai kishte për korrupsionin ishte shumë më e madhe se sakrifica.
Ka një episod diku nga vitet 2005-2006. Trissi sapo kish fituar një tender të madh tek rrugët. Ismailin e thirrën për kafe në Rogner zvministri i kohës dhe drejtori i rrugëve. "Ti Ismail nuk paguan,- i thotë zv/ministri- por këto punë nuk mund të mbyllen kështu.
-Si të paguaj, unë kam konkurruar dhe kam fituar,- u përgjigj Ismaili.
Zv ministri dhe drejtori e anulluan tenderin. Ismail Ahmeti mori në telefon Sali Berishën. -Zotëri, na ke premtuar duart e pastra,- i tha- por po na vijnë në fyt duart e vjedhjes.
Zv/ministri dhe drejtori i rrugëve përfunduan në burg për pak kohë. Por sot janë të dy me pozita dhe shumë më të pasur se sa Ismaili, që pati ndërtuar një pjesë të madhe të Shqipërisë së mirë.
Por ky ishte çmimi që Ismail Ahmeti e pagoi me qejf, për të luftuar në mënyrën e tij korrupsionin që e përbuzi aq shumë deri në fund.