Qeveria ka vendosur të mbyllë Bordin e Transparencës, i cili monitoronte dhe vendoste çmimet e karburanteve. Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se Bordi e ka përmbushur misionin e tij duke frenuar abuzimet gjatë periudhës së krizës dhe tashmë që situata është stabilizuar nuk ka nevojë të ekzistojë më.
“Ne sot vendosëm që të ndërpresim Bordin e Transparencës për monitorimin e çmimeve të karburanteve, i cili prej disa muajsh ka qenë në funksion. Gjatë kësaj periudhe ka pasur luhatje të çmimeve, por prej dy javësh çmimi i karburanteve ka ardhur duke u reduktuar. Gjithashtu, pritshmëritë janë që edhe Kanali i Hormuzit të zhbllokohet, çka do të ndikojë pozitivisht në stabilizimin e tregjeve dhe furnizimin me karburante,” deklaroi Ibrahimaj.
Bordi i Transparencës u ngrit pas shpërthimit të konfliktit në Iran, që çoi në rritjen e ndjeshme të çmimeve të naftës në botë. Por dy ditë më parë, SHBA dhe Irani njoftuan se kanë arritur marrëveshjen e Paqes duke i dhënë kështu konfliktit disamujor, çka po rikthen me shpejtësi në normalitet tregjet e karburanteve.