Lajme nga vendi

Nga do të kalojë Rama për në Korçë nesër?

Nga do të kalojë Rama për në Korçë nesër?

Daniela Zisi 

Nesër, Edi Rama pritet të vijë në Korçë për të parë nga afër “Kompleksin e Dijes”. Vizita është planifikuar me kujdes. Gjithçka është gati. Përveç një detaji të vogël: rrugës.

Që prej së shtunës, Korça është praktikisht në izolim për shkak të dëmtimit të aksit Librazhd- Pogradec. Lëvizja drejt Tiranës është kthyer në torturë, ndërsa qytetarët luten që të mos kenë ndonjë urgjencë shëndetësore, sepse zgjidhja e vetme duket se mbetet Greqia.


Në kushtet kur rruga e Librazhdit do edhe disa ditë të hapet, pyetja qe na mundon është: Si do të vijë Rama në Korçë?

Nga Leskoviku dhe Erseka? Një udhëtim panoramik mbi asfalt të çarë dhe ura të dëmtuara, plus një dosje në SPAK për cilësinë e punimeve.

Nga Gramshi? Rruga 13 milionëshe Maliq-Lozhan - Strelcë që po shkatërrohet para se të festojë përvjetorin, është e ngushtë dhe e rrezikshme.

Nga Maqedonia e Veriut? Një hyrje diplomatike. Ndoshta është më praktike të hysh në Korçë nga jashtë territorit se nga brenda tij.

Nga Greqia? Një kthesë me vlerë metaforike.

Ose ndoshta me rrugë ajrore ? Pse jo. Aeroporti i Lumalasit është në funksion të plotë.

Pyetja mbetet e hapur dhe mendimi juaj vlen shumë: Nga mendoni se do të kalojë Rama pêr të ardhur në Korçë ?

Apo nuk do vijë fare, se nuk ka nga të kalojë ?

Editorial