Lajme nga vendi

Paqja Fiskale nis zbatimin vitin tjetër

Paqja Fiskale nis zbatimin vitin tjetër

Kryeministri Edi Rama njoftoi se marrëveshja e Paqes Fiskale do të nisë zbatimin në 2026, por deri atëherë duhet të sigurohet hartimi me sukses i kësaj pakete. Gjatë një takimi me ekspertët financiarë, shefi i qeverisë shtoi se ky kapitull i ri në marrëdhëniet me biznesin do të rrisë të ardhurat për buxhetin e shtetit dhe ulë informalitetin.

“Është shumë e rëndësishme që paqja fiskale të hartohet dhe të përmbyllet me sukses në aspektin konceptual deri në fund të këtij viti në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojmë me zbatimin e saj. Unë kam shumë besim që nëse paqja fiskale konceptohet dhe planifikohet ashtu siç duhet, do të jetë një mesazh shumë pozitiv për sipërmarrjen, por besoj do të mund të rrisë edhe të ardhurat për arkën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që pika kyçe mbetet rritja e performancës në tërësi dhe ulja e informalitetit”, deklaroi Kryeministri.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se përmes nismave të kësaj natyre do të garantohet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.

“Qëllimi ynë është i qartë dhe ambicioz, përmes kombinimit të politikave të shëndosha fiskale dhe monetare, reformave strukturore të thella dhe investimeve strategjike, ekonomia shqiptare do të garantojë një trajektore të re të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, tha Malaj.

Detyrimet tatimore më të vjetra se 10 vjet do të falen dhe një skemë e re e ripagimit të borxheve të 10 viteve të fundit me përqindje të reduktuara do të vihet në jetë përmes “Paqes Fiskale” 2026–2029. Me këtë do të çelet një kapitull i ri bashkëpunimi me sipërmarrjen shqiptare përmes marrëveshjeve disa-vjeçare të lehtësimit tatimor dhe nxitjes së deklarimeve të rregullta.

Sipas qeverisë, paqja fiskale do të jetë një marrëveshje midis Administratës Tatimore dhe bizneseve e gjeneruar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, e cila shmang kontrollet tatimore, përmirëson klimën e biznesit, por nga ana tjetër garanton mbledhjen e detyrimeve tatimore.

Editorial