Lajme nga vendi

A mund të zgjidhet problemi i sigurimeve duke sulmuar tregun?

A mund të zgjidhet problemi i sigurimeve duke sulmuar tregun?

Kapitali

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave thirri Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për raportimin vjetor dhe diçka ra menjëherë në sy. Diskutimi mori rrjedhën e një bisede për të tretë, ku u fol për tregun e sigurimeve, në mungesë të të tretëve. Fakti është se tregu i sigurimeve nuk kishte asnjë përfaqësues në sallë, ndërkohë që vetë salla tregonte një prirje dhe gatishmëri për të folur pikërisht për sigurimet dhe tregun e tyre.

AMF është monitoruese e industrisë së siguruesve dhe siç kundër e përshkruan qartë legjislacioni i saj rregullator nuk është përfaqësuesja e tyre. Mungesa e zërit të tregut e shpuri padashur debatin në të njëanshëm, duke marrë trajta të një retorike politike të endur edhe me pasaktësi dhe pavërtetësi.

Pyetjet retorike drejtuar AMF-së, a thua se kjo ishte përfaqësuesja dhe jo kontrollorja e tregut, ngrenë pikëpyetje edhe për nivelin njohës të vetë ligjeve organike. Të gjitha këto shkaktojnë një dëm te ata, që do të duhet të ishin përfituesit kryesorë nga debati parlamentar: qytetarët.

Debati parlamentar, veç të tjerash, ka edhe funksionin informues dhe edukues për qytetarët. Këto funksione, kur operimi kryhet në kushtet e sulmeve ndaj tregut, kompromentohen jo pak.

Pasiguria financiare si sistem

Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka mbi 15 vjet që qëndron në nivel të ulëta: shqiptarët sigurojnë vetëm 10 mijë lekë për frymë duke qenë vendi i fundit, jo vetëm në Europë, por edhe ndër ekonomitë e ngjashme të rajonit.

Tregu shqiptar i sigurimeve, përkundër sulmeve, në jo pak raste të pamerituara, ofron të gjitha produktet që ofrojnë tregjet ndërkombëtare, madje me një garanci dhe siguri të lartë, pasi të gjitha marrëveshjet kanë risigurues të vlerësuar nga Standard and Poors me një “A”, dy apo tre. Kjo e bën nivelin e sigurisë së sigurimit më të lartin e mundshëm. Tregu ofron dhe oferta është e cilësisë dhe sigurisë më të lartë.

Politika duhet të pyesë veten: Pse ky treg nuk ka ndryshim? Pse nuk ka ndryshim kur, ndryshe nga sa u la të kuptohej me qëllim nga diskutimet, nuk ka asnjë ankesë zyrtare për mospagesa dëmesh? 

Penetrimi i tregut është 10% në sigurimet “non-life” dhe vetëm 4% në “life”. Kjo do të thotë se shumë pak shqiptarë kanë të mbrojtur diçka nga pasuritë e tyre. Ose, e lexuar ndryshe, kjo do të thotë se në sytë e politikës pasiguria financiare e shqiptarëve përballë risqeve është legjitimuar, normalizuar dhe, në heshtje, gati-gati, edhe legalizuar.

Kjo do të thotë se shqiptarët janë më të pambrojturit në Evropë përballë rreziqeve financiare. Një e papritur dhe për ta pason dështimi, jo ringritja. Në vend se shqiptarët t’i orientojmë kah mbrojtja, çfarë bën politika? Sulmon mbrojtësit, siguruesit.

Ndërkohë që vendi ynë renditet ndër më të rrezikuarit në Evropë për tërmete, zjarre dhe përmbytje. Në çdo hartë të kuqe kontinentale të risqeve financiare gjendet në TOP 5-she, e megjithatë ligjvënësit nuk shtruan asnjë pyetje, strategji apo propozim mbi këtë realitet alarmues, por hodhën në tryezat parlamentare teza të pasakta.

Shqiptarëve, në vend se t’u ushqehet mosbesimi i pabazuar te siguruesit, në mënyrë që të edukohen financiarisht dhe të paguajnë për sigurinë e tyre si evropianët e tjerë, u shtohen më tepër dyshime nga tryezat parlamentare. Duket sikur në vend se politika t’i nxisë shqiptarët drejt sigurisë financiare, duke sulmuar siguruesit kërkon t’i mbajë ata në pasiguri.

Disa argumenta të pathënë

Në këto diskutime parlamentare shqiptarëve u duhej thënë se kompanitë shqiptare te sigurimit janë subjekte të licensuara, subjekte të vazhdueshme kontrolli dhe raportimi, me kapital të garantuar dhe me partnerë ndërkombëtarë emrat më të mëdhenj të Botës së risigurimit si Munich Re, Hannover Re, Allianz, Sëiss Re.

Ky fakt i pathënë nënkupton që portofolët e tyre sigurues janë të mbuluar 100% me risigurim, që do të thotë se çdo rrezik është financiarisht i garantuar.

Në këto diskutime parlamentare shqiptarëve u duhej thënë se kompanitë shqiptare të sigurimit vetëm në 8 muajt e parë të vitit 2025 kanë paguar 57 milionë euro dëme, që kanë 50 mijë emra shqiptarësh si dëshmitarë në vetë të parë. 50 mijë përfitues që nuk janë lënë vetëm përballë fatkeqësive. Atyre, në bazë të kontratave siguruese, u është paguar dëmi: në pronë, në shëndet, dëmi motorik, jetësor.

Fatkeqësisht, në vend të një diskutimi për mbrojtjen e qytetarëve, u dëgjua nje lojë fjalësh, krahasime, aluzione dhe denigrim ndaj operatorëve që përpiqen të ofrojnë produkte serioze sigurimi në tregun shqiptar. Mirëpo kjo qasje ka kosto dhe kostoja e mosbesimit rëndon mbi vetë qytetarët, drejtpërdrejtë mbi sipërmarrësit.

Gofund-i për rimëkëmbje si leksion për vetë politikën

Ndërkohë që ligjvënësit nuk kujdesen për të ndërtuar një infrastrukturë, që e nxit edukimin financiar, që e rrit besimin te sigurimi si investim i mençur në çdo sipërmarrje, një shtëpi pushimi e mirënjohur u dogj aksidentalisht në Leskovik dhe mënyra e vetme për t’u rikthyer në aktivitet për të mbeti hapja e një “GoFundMe”.

Ky është një leksion i pastër me nota të forta ironie që i jepet politikës, asaj politike që në vend se ta rrisë vetëdijen qytetare për rëndësinë e sigurimit, në vend se ta forcojë besimin e qytetarëve te tregu i siguruesve, hedh batuta dhe insinuon për një treg sigurimesh që nuk paguan.

Asnjë zyrtar nuk kujtoi të flasë për sigurimin që mund ta kishte shpëtuar edhe këtë sipërmarrje, si dhjetra e qindra familje dhe sipërmarrje të tjera nga humbja. Askush prej tyre nuk po e merr e nuk do ta marrë përgjegjësinë të thotë se sot tregu shqiptar i siguruesve, e ka 100% potencialin që t’i qëndrojë pa i ikur përgjegjësive, e ka potencialin t’u qëndrojë 100% kontratave të sigurimit që nënshkruan.

Askush nuk e thotë me të madhe se shqiptarët, në mënyrë që të mos mbeten në mëshirë të iniciativave bamirëse apo të ndihmës së pallogaritur shtetërore, duke rrezikuar kolapsin e projekteve të përllogaritura, do të duhet të sigurojnë më shumë.

Detyra e institucioneve është të garantojnë qytetarët se sigurimi është 100% mbrojtje ligjore dhe financiare dhe se sot, me legjislacionin në fuqi, tregu i sigurimeve është 100% i mbikëqyrur, rregulluar dhe i sigurt.

Duhet t’ua kujtojë atyre pa u lodhur se çdo kontratë sigurimi është e mbikëqyrur nga AMF dhe, nëse një kompani nuk paguan, vendos gjykata, ashtu si në çdo shtet të së drejtës. Kompanitë nuk u ikin dot përgjegjësive.

Nëse ligjet mbikëqyrëse nuk janë të forta, ata janë për t’i forcuar ato. Ata janë aty për t’i forcuar edhe gjykatat. Për ta forcuar edhe mbrojtjen ligjore të qytetarëve. Si e si vetëm që të forcohet besimi i tyre te sigurimi.

Sepse Shqipëria nuk ka nevojë të shpikë: mjafton të bëjë siç bën bota e qytetëruar, sipas parimit: “Të sigurosh gjithçka mundesh, sa më shumë, aq më mirë”. Në mënyrë që qytetarët të ringrihen shpejt pas çdo rrëzimi aksidental nga fatkeqësitë.

Strategji nxitëse dhe mbrojtëse për qytetarët

Në vend që komisionet parlamentare të përsërisin çdo vit të njëjtat analiza, duhet një strategji kombëtare e mbrojtjes financiare të qytetarëve. Në zbatim të rregulloreve kuvendare dhe ligjvënies në kushte demokratike, kjo strategji duhet të përfshijë si aktorë partnerë e jo si target sulmi edhe vetë siguruesit.

Kjo strategji duhet të shtrojë përgjigjet e duhura dhe të mprehta se si mund ta bëjmë më të sigurt sipërmarrjen e bujkut shqiptar nga rreziku i motit të keq, që ia zeron prodhimin dhe e lë atë pa financa, e nxjerr nga tregu, e falimenton. E lë edhe tregun pa produkte të fermerit vendas, edhe pa fermer vendas.

Si t’ia bëjmë me blegtorin kur i digjet ferma dhe bagëtia? Kur nuk i shpie dot lëndën e parë baxhos? Falimenton veten dhe minon zinxhirin e prodhimit, duke shkuar si çmim i rritur i produktit vendas, që shpartallohet në konkurrencë me produktin blegtoral të importit.

Si t’ia bëjmë të fortë sigurinë financiare qytetarit shqiptar kur energjia elektrike ia djeg banesën apo pajisjet elektrike?

Si ta bëjmë të qartë dhe ta rregullojmë sistemin e marrjes përsipër të përgjegjësisë financiare ndaj qytetarit kur mjeku, farmacisti, dentisti gabojnë dhe shkaktojnë një dëm me pasojë financiare.

Si ta rregullojmë me një ligj të zbatueshëm, e jo thjesht në letër, përgjegjësinë publike të restoranteve, hoteleve, strukturave akomoduese, bareve dhe restoranteve, nëse klienti, turisti a punonjësi, u helmohet apo dëmtohet në mjediset e tyre?

Përgjegjësia nga dëmet e pasiguruara mbetet jetime sepse tryezat parlamentare nuk kanë dashur ta shtrojnë kështu diskutimin parlamentar.

Si ta bëjmë të mundur që qytetari shqiptar, i cili paguan sigurime shëndetësore shtetërore, shërbimet që merr nga sigurimi shëndetësor privat janë të panumërta si përfitime dhe si cilësi?

Politika duhet të ngrejë pyetjen se pse ky sigurim është i taksuar me 10 % kur duhet të ketë incentiva të veçanta: dashur pa dashur ka dalë nga skema shtetërore e sigurimeve, e kjo edhe për produktet e tjera, për një sigurim shtëpie, sigurim gjedhësh në fshatra apo i gjithë bujqesisë?

Nëse është kështu, për t’i dhënë atij mbrojtjen maksimale, pse të mos e lemë qytetarin të zgjedhë ai nivelin e vetë më të mirë dhe më të lartë të mbrojtjes? Për secilën nga këto pyetje, industria e sigurimeve shqiptare, me një përvojë të madhe dhe me ekspertizën më të mirë të tregut i ka përgjigjet.

Politika e përgjegjshme për sigurinë financiare të qytetarëve të vetë i fton siguruesit dhe i pyet. I pyet, nuk i sulmon dhe denigron. I fton dhe i dëgjon si partnerë, nuk nxit mosbesimin e qytetarëve përmes insinuatave të pabazuara.

Fakti është që përditshmëria e një shqiptari është më e pasigurta financiarisht në Evropë. Tregu shqiptar i sigurimeve garanton mbulimin e plotë. Ku çalon, atëherë, nëse jo te politika, ligjvënie dhe sistemi edukues financiar që kërkon angazhimin e plotë të ligjvënësve? Kjo qasje do ta shëndoshte edhe vetë tregun.

Sepse, në fund të fundit, mungesa e këtyre ligjeve, që u japin përgjigje pyetjeve më sipër, është arsyeja kryesore pse investitorët e huaj të sigurimeve hezitojnë të hyjnë drejtpërsëdrejti në tregun shqiptar.

Editorial