Valon Ademi kishte zgjedhur të heshte deri më tani ndaj konferencave në seri dhe PR agresiv të Pacollit për konfliktin në aeroportin e Vlorës. Por këtë të premte, pronari i 2A Group ka bërë një reagim me akuza të forta ndaj Pacollit.
Ai thotë se Pacolli i ofroi 80 milionë euro për blerjen e aksioneve të Aeroportit për llogari të rusëve.
Reagimi i Valon Ademit
Emisar,
Unë e njoh shumë mirë strategjinë tënde, pasi e kuptoj qartë që "ujku do mjegull". Për këtë taktikë, ti je i shkolluar dhe i trajnuar prej kohësh nga shefat e tu, ndaj dhe strategjinë e mjegullës di ta zbatosh me mjeshtëri. Megjithatë, nëse kjo qasje mund të funksionojë për të hutuar opinionin publik, me mua të ka dështuar.
Siç ta kam bërë të qartë: me ty, emisar, unë nuk kam asnjë problem sepse ti nuk je as aktor dhe as faktor në këtë mes; je thjesht një agjent i përdorur për të marrë nën kontroll Aeroportin e Vlorës. Lufta ime është me kolegun tënd, Bart Turtelboom, i cili është ekzekutori i skemës financiare dhe juridike për t'ua dorëzuar këtë aset kombëtar shefave tuaj, atje ku i keni.
Ti detyrën tënde po e zbaton me përpikëri, sipas udhëzimeve. Ndaj, ti nuk ke faj që unë e refuzova ofertën tënde prej 80 milionë eurosh në shkurt të vitit 2025, për t'ia shitur aeroportin atyre që ti i di mirë. Madje, kur unë e refuzova atë ofertë pikërisht për shkak të asaj që ata përfaqësojnë, ti më the tekstualisht: "Mos u shqetëso, sepse pronar formal do të vazhdoj të figuroj Mabco."
Refuzimi im i prerë atë natë është zanafilla e kësaj situate të cilën po e përballoj edhe sot. "Gabimi" im i vetëm ishte refuzimi për ta shitur Aeroportin e Vlorës atje ku ti kishe marrë urdhër ta dorëzoje.
Deri më sot, shumë detaje i kam mbajtur larg vëmendjes publike, duke pritur që organet kompetente të bëjnë detyrën e tyre, në mos atë ligjore, të paktën atë patriotike. E kam bërë betejën time në heshtje, në respekt të institucioneve. Por, edhe pse ata që duhej të reagonin heshtën, unë nuk do të ndalem, kurrë.
Emisar, tregoj shefave të tu, se unë nuk shitem, nuk intimidohem, nuk frikësohem dhe nuk dorëzohem kurrë përballë tyre! Tregoju se paraja e tyre, për mua s’ka asnjë vlerë. Ata mund të blejnë gazetarë, media e portale, por Aeroportin e Vlorës nuk do ta blejnë kurrë.
As ti dhe as propaganda jote me mercenarë e zagarë nuk më intimidon, sepse, në të gjithë këtë proces të Aeroportit të Vlorës, i vetmi njeri i shitur, i blerë dhe i komprometuar je ti.
Dil e tregoju shqiptarëve se kush fshihet pas "Compartment Bernina". Dil e tregoju me sa rubla u pagove. Dil e tregoju se te gjitha veprimet po i bën vetëm për interes të Compartment Bernina-s, interesa këto që bien ndesh me interesin publik, atëherë mund të marrësh guximin të përmendësh emrin tim.
Ti emisar, edhe mashtrimet i bën për të mbuluar atë se çfarë në të vërtetë je, sepse ti nuk je emisar për një mision, por ti je agjent me mision të përjetshëm, sepse ti shpirtin edhe dinjitetin e ke shitur me kohë, e tash vepron me urdhra nga atje ku je shitur!
Turp të qoftë emri Behgjet e mbiemri Pacolli!