Lajme nga vendi

Prishen 2736 m² objekte pa leje në Farkë, vendosen 1 mln euro gjoba

Prishen 2736 m² objekte pa leje në Farkë, vendosen 1 mln euro

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu deklaroi se autoritetet e ligjit kanë shembur mbi 2736 m² ndërtime në zonën e Farkës, kryesisht vila, të ndërtuara pa leje ose në shkelje të saj. Sipas Koçiut, operacioni kombëtar për vendosjen e ligjshmërisë në territor nuk do të kursejë askënd që ka ndërtuar në shkelje të ligjit.

“Në çdo kantier ku konstatohen shkelje, mesazhi është i qartë: Askush nuk është mbi ligjin, as pronarët e vilave, pallateve apo komplekseve, as zaptuesit e zakonshëm, as inspektorët apo funksionarët që kanë përdorur detyrën për të abuzuar apo neglizhuar”.

Sipas saj, nga operacioni në zonën e Farkës janë inspektuar deri tani 68 objekte, janë prishur 2736 m² objekte si vila, pa leje, janë vendosur mbi 1 milion euro gjoba ndaj subjekteve, si dhe janë proceduar penalisht 18 persona, pjesa dërrmuese e të cilëve janë inspektorë të mbrojtjes së territorit, të cilët kanë mbyllur sytë përpara shkeljeve.

“Operacioni për ligjshmërinë në territor do të vijojë e nuk do të ndalet, nga hapësirat publike tek çdo leje e miratuar, që duhet të zbatohet drejt dhe sipas ligjit. Do të vijojmë për sa kohë të jetë e nevojshme për të bërë të mundur që çdo lekë i investuar nga shqiptarët të kthehet në një pronë me cilësi, planimetri dhe standardet e merituara dhe çdo pëllëmbë e zaptuar t’u kthehet qytetarëve dhe komuniteteve”, përfundoi Koçiu.

Editorial