Lajme nga vendi

Programi ekonomik i qeverisë për 4 vitet e ardhshme, turizëm dhe prodhim municionesh

Programi ekonomik i qeverisë për 4 vitet e ardhshme, turizëm dhe

Me një mandat të fortë prej 83 ligjvënësish në Kuvend, qeveria Rama 4 e socialistëve ambiciet i ka të mëdha për 4 vitet e ardhshme. Programi qeverisës i Edi Ramës për mandatin e katërt, të cilin Report Tv e ka siguruar, është i ndarë në tre shtylla kryesore, në krye të të cilave qëndron “Shqipëria Europiane, synimi për ta integruar vendin në BE brenda 2030-ës.

Shtylla e dytë bazohet tek “Rritja e qëndrueshme ekonomike”, ndërsa tek e treta premton se qeveria këtë mandat do t’i hedh më shumë sytë tek qytetarët me “Mirëqenie për të gjithë”.

Pas asaj që vetë Rama e ka cilësuar si boom turistik në të paktën 2 vitet, tashmë pritet ta orientojë sektorin drejt turizmit të qëndrueshëm, në mënyrë që 2030-ta, sipas ambicies së qeverisë ta gjejë Shqipërinë si një destinacion turistik të nivelit të lartë në Mesdhe. Për të arritur në këtë nivel mes të tjerash synohet ndërtimi i 20 marinave të reja nga Velipoja në veri deri në Ksamil në jug, si dhe ndarjen e Shqipërisë në 6 rajone turistike.

Vëmendje të veçantë pritet t’i kushtohet diplomacisë ekonomike, përmes së cilës qeveria synon të dyfishojë investimet e huaja direkte në vend.

Zhvillimi i industrisë ushtarake do të jetë një nga prioritetet e qeverisë, duke ngritur dhe forcuar prodhimin “Made in Albania” me fokus tek municionet, armatimin e lehtë, mjeteve të blinduara, mjeteve të emergjencave civile dhe sistemeve pa pilot.

I kritikuar për mungesën e infrastrukturës, që e bëri të vështirë përballjen me zjarret këtë verë, qeveria premton se gjatë këtij 4 vjeçari do të blejë dy avionë zjarrfikës, flotë të përforcuar tokësore dhe ngritjen e katër qendra të reja rajonale të emergjencave civile.

Sistemin e drejtësisë qeveria premton ta mbështesë me inteligjencë artificiale. Bëhet fjalë për ngritjen e një sistemi të integruar të menaxhimit të çështjeve në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë deri në vitin 2028 duke përfshirë module të inteligjencës artificiale për menaxhimin e çështjeve. Objektivi i radhës është miratimi i kodit të ri Penal dhe atij civil të përafruar me standardet e BE-së.

Administratën publike synon ta çojë drejt operimit “pa letër”, duke reduktuar ndjeshëm përdorimin e dokumentacionit fizik. Ndërsa për transparencën dhe llogaridhënien mbi shpenzimet dhe projektet publike qeveria do të ketë sërish ndihmën e inteligjencës artificiale duke fuqizuar portalin “Transparent Albania”.

Prokurime publike, ashtu siç Rama premtoi me krijimin e dikasterit “Diella”, qeveria do t’ia lërë në dorë një sistemi tërësisht të automatizuar përmes Inteligjencës Artificiale, përmes të cilit synon eliminimin e korrupsionit, abuzimet dhe ndërhyrjen njerëzore.

Shqiptarja.com

Editorial