Lajme nga vendi

Rrëzohet kompania e skandaleve/ KPP ndryshon fituesin e tenderit 1.3 mln euro të uësjellësit në Gjirokastër

Rrëzohet kompania e skandaleve/ KPP ndryshon fituesin e tenderit 1.3 mln

Komisioni i Prokurimit Publik ndryshoi fituesin e tenderit kontrovers për ndërtimin e Ujësjellësit të fshatrave Kolonjë dhe Picar në Gjirokastër.

Tenderi me vlerë 1.35 milionë euro u zhvillua në dhjetor të vitit të kaluar. Në të u paraqitën 14 oferta dhe Shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve skualifikoi plot 12 ofertat më të ulëta duke shpallur fituese ofertën e 13-të.

Sipas vendimit të Ujësjellësit të Gjirokastrës, tenderi iu dha bashkimit të shoqërive Ed Konstruksion dhe OB Konstruksion, të cilët ofruan çmimin 115.4 milionë lekë ose 1.2 milionë euro, edhe pse 12 kompani ose bashkime kompanish të tjera kishin dhënë një ofertë më të ulët.

Rrëzohet kompania e skandaleve/ KPP ndryshon fituesin e tenderit 1.3 mln

Tenderi i veshur me dyshime të forta për korrupsion u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik nga dy kompani. Ato ishin Liqeni VII dhe Lis Konstruksion, të cilat kishin ofruar të dyja një çmim më të ulët se sa ai i fituesit Ed Konstruksion.

Pas shqyrtimit të dokumentave Komisioni i Prokurimit ka vendosur të ndryshojë fituesin e tenderit, duke detyruar Ujësjellësin e Gjirokastrës që të kualifikojë kompaninë Liqeni VII.

Tenderat e ujësjellësave janë shndërruar në procedurat më problematike të prokurimit, me dyshime serioze për korrupsion. Ky është një sektor, ku pavarësisht se janë investuar miliarda cilësia e shërbimit mbetet thellësisht problematike, ndërkohë që furnizimi me ujë është i kufizuar thuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ed Konstruksion është një kompani e përfshirë në shumë skandale të rënda dhe aktualisht është nën hetim nga SPAK për të paktën tre raste, duke përfshirë një lot të Unazës së Madhe të Tiranës dhe ujësjellësin e Memaliajt.

Bëhet fjalë për një tender të vitit 2021, me fond limit 4.1 milionë euro dhe me kohëzgjatje kontratë 24 mujore. Tenderi është fituar nga kompanite “KEG” sh.p.k dhe “ED KONSTRUKSION” shpk.

Hetimet nga ana e SPAK kanë nisur mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në tetor 2024.

Editorial