Lajme nga vendi

Sistemi i gjurmueshmërisë nuk ekziston, Rosmann & Lala shiti qumësht toksik për fëmijët

Sistemi i gjurmueshmërisë nuk ekziston, Rosmann & Lala shiti

Disa ditë pas alarmit se qumështi për fëmijë i prodhuar nga Nestlé rezultoi i kontaminuar me toksinën cereulide, Mbretëria e Bashkuar foli me shifra zyrtare.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se 36 foshnja u sëmurën pasi konsumuan formulën e kontaminuar, ndërsa në Francë ka nisur hetimi për humbjen e jetës së dy foshnjave.

I njëjti produkt, i importuar nga Rossmann & Lala, është tregtuar edhe në Shqipëri, konkretisht në rrjetin e dyqaneve të këtij subjekti.

Sipas burimeve zyrtare nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, sasia totale e qumështit të importuar është 1,878 copë, nga të cilat 462 copë janë rieksportuar në Republikën e Kosovës. Në Shqipëri rezulton se janë bllokuar 836 kuti me qumësht .

Ndërsa sasia e qumështit të kontaminuar e shitur është 580 kuti, secila me peshë 800 gram.Ky alarm nga Bashkimi Evropian zbuloi një problematikë në subjektin Rossmann & Lala në Shqipëri.

Pas kontrolleve të kryera, inspektorët e AKU-së e kanë gjobitur subjektin për dy shkelje: mangësi në sistemin e gjurmueshmërisë dhe mospërmbushje të përgjegjësive të Operatorëve të Biznesit Ushqimor (OBU).

Mungesa e gjurmueshmërisë cenon rëndë sigurinë ushqimore dhe, në këtë rast, bëhet fjalë për një produkt delikat si ushqimi për foshnja. E thënë më thjesht, nëse një produkt rezulton i pasigurt (p.sh. i kontaminuar apo i skaduar), autoritetet nuk mund ta tërheqin shpejt nga tregu, sepse:

• Nuk dihet në cilat supermarkete ka përfunduar.

• Nuk dihet sa njësi janë shitur.

• Nuk mund të bëhet tërheqje e saktë dhe e menjëhershme.

Për shkak të këtyre shkeljeve, subjekti Rossmann & Lala është gjobitur nga AKU.Në lidhje me këtë çështje, TV Ora Neës iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe subjektit , duke kërkuar një qëndrim zyrtar mbi shkeljet e konstatuara nga AKU.

Rossmann & Lala nuk ka dhënë përgjigje për informacionin e kërkuar, por i ka kërkuar gazetares Alketa Çeku që të vizitojë pikat e shitjes ose zyrën qendrore të subjektit. Duke qenë se interesi parësor mbetet informimi i publikut përmes një qëndrimi zyrtar, kjo ftesë është refuzuar.

Ky rast rikthen në vëmendje se siguria ushqimore nuk është formalitet administrativ, por përgjegjësi direkte ndaj jetës dhe shëndetit të fëmijëve.

Ora News

Editorial