Ryanair, linja ajrore me çmime të ulëta inauguroi këtë të mërkurë hapjen e bazës së saj të re me 4 avionë në Tiranë. Kompania njoftoi se këtë vit do të ofrojë gjithsej 44 itinerare dhe do të shënojë një rritje rekord prej 50% të trafikut për 4 milionë pasagjerë në Tiranë.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ryanair tha se kjo rritje është një rezultat i drejtpërdrejtë i politikës së qeverisë për aviacionin me taksa zero dhe skemave të nxitjes së rritjes së Aeroportit të Tiranës, të cilat e inkurajuan Ryanair të hapte 21 itinerare të reja këtë verë, duke mbështetur mbi 3,000 vende pune, përfshirë 120 vende të reja pune me paga të larta për pilotë, inxhinierë dhe ekuipazh kabine të Ryanair, të gjithë me bazë në Tiranë.
“Shqipëria është tregu i aviacionit me rritjen më të shpejtë në Evropë dhe Ryanair do të vazhdojë të investojë në Shqipëri, duke rritur trafikun në mbi 6 milionë pasagjerë dhe duke vendosur bazë deri në 6 avionë deri në vitin 2030, me kusht që Qeveria Shqiptare të vazhdojë politikën e saj aktuale të aviacionit pro-rritjes, me taksa zero, dhe Aeroporti i Tiranës të ruajë stimujt e tij të rritjes,” tha Michael O'Leary, drejtori ekzekutiv i Ryanair.
Drejtori i Përgjithshëm i Operacioneve të Aeroportit të Tiranës, Z. Piervittorio Farabbi, tha se hyrja e Ryanair në tregun shqiptar ka qenë një sfidë për Aeroportin e Rinasit.
“Që nga fillimi i operimit të tij më 23 tetor, Ryanair na ka sfiduar vazhdimisht për të rritur standardet tona dhe për të ofruar përsosmëri të vërtetë operacionale. Stafi dhe menaxhmenti i TIA-s me siguri janë ngritur në lartësinë e detyrës: jo vetëm që arritëm kapacitetin e terminalit dhe zonës ajrore në kohë rekord, duke përfunduar një plan shpenzimesh kapitale prej 120 milionë eurosh që adresonte të gjitha infrastrukturat kryesore të aeroportit, por ishim të gatshëm të evoluonim dhe të përshtasnim praktikat tona më të mira operacionale me nevojat e një linje ajrore moderne, duke u përqendruar në efikasitet, kohëzgjatje dhe performancë.
Sipas tij, hapja e kësaj baze nuk është vetëm një moment historik për bashkëpunimin mes TIA dhe Ryanair, por edhe një pasqyrim i progresit që ka bërë Aeroporti i Tiranës.