Lajme nga vendi

Sigurimet e shëndetit dhe përgjigja ime ndaj zërave kritikë

Sigurimet e shëndetit dhe përgjigja ime ndaj zërave kritikë

Avni Ponari

Përfitimet nga sigurimi i shëndetit privat janë të mëdha, dhe kjo dëshmohet edhe nga dëmet e paguara nga SIGAL pranë AMF-së, si ent mbikëqyrës dhe rregullator, si dhe nga mijëra  qytetarë që kanë qenë përfitues.

Kam zgjedhur të përgjigjem vetë ndaj disa zërave, shumë të paktë në fakt, që kërkojnë përfitime të mëdha me një prim shumë të vogël, sidomos në sigurimin e shëndetit në udhëtim.

Nuk mund të kërkosh operacione në zemër, në kokë apo stomak në spitalet e Europës, kur ke paguar 4, 5 apo 9 euro. Këto janë prime minimale, të cilat shërbejnë vetëm për raste emergjente. Çfarë quhet rast emergjent dhe çfarë mbulon një sigurim i tillë, është shumë e qartë.

Sot ne ofrojmë sigurime shëndeti Gold, Silver dhe Standard, me mbi 100 mijë të siguruar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Këto sigurime mund të blihen edhe online nga kushdo.

Me 4 euro nuk mund të mbulohet një operacion i planifikuar apo një sëmundje e njohur, sidomos kur nuk është deklaruar në pyetësor, por evidentohet më pas tek mjeku dhe nga informacionet që marrim nga spitalet, janë ose të planifikuara ose të stisura.

Nga ana tjetër, kemi me qindra persona që kanë marrë sigurime antikancer, me një kosto prej 250–300 euro në vit. Nuk është vetëm rasti i një punonjëseje banke që ka përfituar mbi 120 mijë euro; ka edhe shumë të tjerë, të cilëve u uroj shëndet të mirë.

Këto sigurime antikancer janë në bashkëpunim me një nga kompanitë më të mëdha të risigurimit në botë, Swiss Re.

Kam vendosur të komunikoj hapur, ndryshe nga disa drejtues të tjerë të kompanive private, sepse në 30 vite biznes nuk kam zhgënjyer askënd, dhe nuk do ta bëj as tani. Fatkeqësisht, abuzuesit dhe mashtruesit në sigurime janë të shumtë dhe shpesh janë ata që flasin më shumë, duke mbrojtur kërkesa të padrejta.

Ekziston edhe një studim nga Lloyd’s, sipas të cilit ata që tentojnë apo përfitojnë padrejtësisht nga sigurimet, në 90% të rasteve përballen me ngjarje të vështira brenda 3 viteve.

Ne jemi ndër vendet më të varfra në botë për sa i përket mbrojtjes financiare, vetëm 90–100 euro në vit për frymë. Ndërkohë, në Slloveni kjo shifër arrin në rreth 1,300 euro, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian mbi 3,000 euro.

Liria, pavarësia dhe dinjiteti ekonomik vijnë atëherë kur kujdesemi për veten tonë:

• me një shëndet të siguruar,
• me një shtëpi të siguruar,
• me përgjegjësi të siguruar,
• me jetë të siguruar,
• me nje pension privat.

Natyrisht jemi të pavarur finaciarisht. Vetëm atëherë jemi realisht të lirë, të pavarur dhe dinjitozë.

Editorial