Pas bllokimit që i bëri Gjykata Kushtetuese pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra e zv.kryeministres, SPAK ka hedhur hapin e radhës duke kërkuar nga parlamenti autorizimin për arrestimin e saj për një masë më të ashpër sigurie, arrest shtëpie ose në burg. Kërkesa u dorëzua këtë të martë në kuvend dhe sipas njoftimit që shpërndau Prokuroria e Posaçme qëllimi është arrestimi i Ballukut për manipulimet me tenderin e tunelit të Llogarasë por edhe për procedurat e tenderave të Unazës së Madhe të Tiranës.
“Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt: “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”; “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”; “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”; “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. thuhet në kërkesën e SPAK drejtuar kuvendit.
Nuk kaluar më shumë se disa sekonda nga njoftimi i prokurorëve dhe menjëherë në X, reagoi kryeministri Edi Rama që la të kuptohet se nuk do ta lëshojë Belinda Ballukun. A i quajti arrestimet me firmën e prokurorëve të SPAK “një modë e vrazhdë” që ka çuar në shtimin e numrit të të paraburgosurve që janë më shumë se të burgosurit në Shqipëri, “një fakt i turpshëm” sipas kryeministrit “pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane”.
Dhe duke vazhduar mesazhin nervoz në përgjigje të SPAK, Rama tha se Partia Socialiste nuk do ta paragjykojë kërkesën, por meqënëse i kërkohet opinion, do “të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”.
Në rreshta mungon një qëndrim i prerë pro apo kundër arrestimit, që do të mbajë mazhoranca për Belinda Ballukun, por e sigurtë është që përgjigjia flakë për flakë e Ramës nuk është në linjën e përbetimeve të kryeministrit se drejtësia duhet të bëjë punën e saj, se prokurorët duhet “t’I nxjerrin të zitë e ullirit” luftës kundër korrupsionit dhe se PS nuk do të bëhet zyrë avokatie e atyre që janë në telashe me gjykatat.
Për më tepër, një burim pranë kryeministrisë menjëherë pas reagimit të Ramës, tha për Lapsi.al se kryeministri ua ka bërë të qartë të vetëse se autorizimi për arrestimin e Belinda Ballukut nuk do të jepet dhe kjo shpjegon fjalorin krejt të ndryshëm me të cilin tashmë Rama po trajton tashmë dosjet hetimore të SPAK.
Mesazhi i plotë i Ramës në X
Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.
Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.
Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.