Lajme nga vendi

Tensione në Patos-Marinëz, banorët hyjnë me forcë në ambientet e Bankers Petroleum

Tensione në Patos-Marinëz, banorët hyjnë me forcë

Ka nisur me tensione protesta e paralajmëruar prej dy ditësh nga banorët e zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëz.

Protestuesit kanë hapur me forcë portën e një prej sektorëve të kompanisë Bankers Petroleum dhe janë futur në ambientet e saj. Banorët kanë kërkuar largimin e punonjësve nga zona, ndërsa situata është tensionuar.

Protesta zhvillohet në vijim të kërkesave të banorëve për respektimin e kontratave dhe pagesat për tokat e dhëna me qira kompanisë.


“Është prona ime, jo e jotja. Kemi bërë një kontratë bashkë, por nuk po e zbaton, nuk po më jep lekët”, shprehet një nga banorët.

Banorët kërkojnë njëzëri respektimin e kontratës sipas ligjit dhe kundërshtojnë ndryshimin e kontratës nga një vjetore në dyvjetore dhe përgjysmimin e çmimit të qirasë nga 400 lekë për metër katror në 200.

Për banorët e zonës naftëmbajtëse, qiraja vjetore e tokave mbetet një ndër burimet kryesore të të ardhurave të tyre.

Bankers Petroleum akuzohet për mashtrim dhe fshehje taksash në rendin e qindra milionë eurove nga autoritetet, ndërkohë që kompania rezulton të ketë detyrime të mëdha të papaguara në shtet. 

Editorial