Lajme nga vendi

Nisin fluturimet direkte Tiranë-Aman

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës  mirëpriti grupin e parë të pasagjerëve në fluturimin e parë çarter të Jordan Aviation nga Amani, Jordani, duke krijuar një lidhje të re direkte midis dy kryeqyteteve.

Kjo linjë e re zgjeron aksesin e Shqipërisë në Lindjen e Mesme dhe tregon interesin në rritje për vendin si një destinacion turistik dhe bashkëpunues në rajon.

Avioni u ul në Aeroportin e Rinasit në orën 08:00 dhe u prit me një "përshëndetje" tradicionale, e ndjekur nga një ceremoni mirëseardhjeje e organizuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Pasagjerëve iu shërbyen ëmbëlsira tradicionale shqiptare, ndërsa ekuipazhi i Jordan Aviation u prit me buqeta lulesh.

Një ceremoni zyrtare e prerjes së shiritit u zhvillua pranë avionit, ku morën pjesë përfaqësues nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës dhe Jordan Aviation për të përkujtuar hapjen e kësaj linje të re ajrore.

“Kjo linjë është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe angazhimit të vazhdueshëm nga ekipet e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe Jordan Aviation,” – tha Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. “Ajo i përgjigjet kërkesës në rritje për tregje të reja dhe forcon rolin e TIA-s si një urë lidhëse midis Evropës dhe Lindjes së Mesme.”

Hamzeh Alkhashman, zëvendësdrejtoreshë financiare e Jordan Aviation, shtoi: “Hapja e fluturimeve për në Tiranë është një zhvillim i rëndësishëm për kompaninë tonë. Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një zgjedhje e preferuar për udhëtarët jordanezë dhe ne besojmë se kjo rrugë do të japë rezultate pozitive për të dy vendet.”

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mban rekordin për rritjen më të lartë të lidhjeve ajrore në rajon, sipas të dhënave të ACI Europe. Përmes partneriteteve strategjike me linjat ajrore dhe investimeve të vazhdueshme, TIA vazhdon të zgjerojë rrjetin e saj të destinacioneve dhe të përmirësojë përvojën e udhëtimit për të gjithë pasagjerët.

Editorial