Gjiganti bankar italian Intesa Sanpaolo ka ndërmarrë një lëvizje agresive dhe të papritur gjatë fundjavës. Bordi i drejtorëve u mblodh në një takim urgjent për të miratuar një rritje të ofertës cash me 25 cent për aksion, duke e çuar vlerën totale të marrëveshjes së propozuar në një shifër rekord prej 31.4 miliardë eurosh.
Kjo lëvizje vjen si një kundërshtim i hapur ndaj planeve të lidershipit aktual të Banca Monte dei Paschi di Siena, i cili po reziston fort ndaj sulmit të Intesas.
Megjithatë, rritja e çmimit vjen me një kusht të prerë. Intesa Sanpaolo ka paralajmëruar zyrtarisht se oferta do të mbetet në fuqi vetëm nëse aksionarët e MPS-së votojnë kundër propozimeve të menaxhimit të tyre aktual dhe pro shkrirjes me Intesa-n.
Nëse kjo mbështetje dështon, grupi ka bërë të qartë se do ta tërheqë tërësisht ofertën e tij.
Beteja e gjatë për blerjen
MPS ka qenë "e sëmura e madhe" e sistemit bankar italian për më shumë se një dekadë. Pas një sërë blerjesh të gabuara përpara krizës financiare të vitit 2008 dhe skandaleve me derivatet, banka u gjend në prag të falimentimit.
Në vitin 2017, Qeveria Italiane u detyrua të ndërhynte duke e shtetëzuar dhe duke blerë 64% të aksioneve për të parandaluar një kolaps total që do të rrezikonte të gjithë Eurozonën.
Rregullat e Bashkimit Evropian e detyronin Italinë që të privatizonte sërish bankën dhe të shiste aksionet e saj brenda një afati të caktuar. Vitet e fundit, përmes një ristrukturimi të thellë, MPS u rikthye më në fund te fitimi, duke u bërë një "shënjestër" shumë tërheqëse për blerje.
Intesa Sanpaolo është tashmë banka më e madhe në Itali. Duke blerë MPS-në përmes kësaj oferte gjigante prej 31.4 miliardë eurosh, Intesa synon eliminimin e një rivali dhe marrjen e miliona klientëve të rinj.
Kjo blerje do t'i sillte Intesas më shumë sinergji kostosh, duke mbyllur degët që mbivendosen dhe duke integruar sistemet teknologjike, ccka do të krijonte një kështjellë të fortë përballë rivalëve europianë si BNP Paribas apo Santander dhe sfiduesve të rinj dixhitalë si Revolut.
Intesa Sanpaolo është një nga bankat kryesore me prezencë të fortë në Shqipëri. Ky konsolidim i kapitalit në rang grupi pritet të rrisë stabilitetin dhe fuqinë financiare të të gjitha degëve të saj ndërkombëtare, përfshirë atë shqiptare.