Bloomberg
Shoku më i madh i ofertës së naftës në histori tashmë ka mbushur muajin e plotë. Çmimet janë rritur, parashikimet për rritjen ekonomike janë ulur në mbarë botën dhe mungesat e karburantit kanë filluar sakaq të shfaqen nëpër Azi, nga Tajlanda në Pakistan.
Por ekspertët e industrisë së energjisë paralajmërojnë se kriza vetëm sa ka filluar. Gjatë bashkëbisedimeve me një sërë tregtarësh gazi dhe nafte, brokera, kompani transporti detar dhe konsulentë një mesazh përsëritet papushim; bota ende nuk i ka kuptuar përmasat e asaj që po ndodh.
Shumë prej tyre heqin paralele me krizën e viteve 70' duke paralajmëruar se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit kërcënon të shkaktojë një krizë edhe më të madhe.
Mungesa e naftës që po godet Azinë, sipas tyre, shumë shpejt do të përhapet në Perëndim. Europa do të përballet me çmime në rritje për të siguruar ngarkesa më naftë duke qenë në rrezik edhe që të përballet me mungesë karburanti gjatë javëve në vijim.
Nëse Ngushtica qëndron e mbyllur, bota do të duhet të reduktojë në mënyrë domethënëse konsumin e naftës dhe gazit, por kjo nuk do të ndodhë përpara se çmimet të rriten në një nivel, që i detyron konsumatorët të fluturojnë, udhëtojnë me makinë dhe shpenzojnë shumë më pak.
Që tani, kërkesa ka filluar të bjerë dhe disa vende në Azi janë duke kufizuar përmes racioneve konsumin e naftës. Zyrtarët e qeverisë amerikane dhe analistët e ëall Street-it po fillojnë të marrin në konsideratë skenarin se çmimi i naftës mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi.
"është e qartë se nëse kjo krizë zgjat më shumë se sa tre ose katër muaj, atëherë ajo do të shndërrohet në një problem sistemik për botën. Nuk mund të kesh 20 për qind të furnizimit global të naftës të bllokuar në Hormuz dhe 20 për qind të kapacitetit prodhues të gazit të nxjerrë jashtë loje, pa asnjë pasojë," deklaroi CEO i Total Energies, Patrick Poyyanne, gjatë një konference në Houston.
Një llogari e thjeshtë tregon se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka reduktuar qarkullimin global të naftës me 11 milionë fuçi në ditë, duke përfshirë dhe kundërmasat e marra për të zbutur bllokimin. Kjo është më shumë se sa konsumi i Britanisë, Francës, Gjermanisë, Spanjës dhe Italisë të marra së bashku.
Hedhja në treg e rezervave masive të emergjencës dhe heqja dorë përkohësisht nga sanksionet mbi naftën ruse dhe atë të Iranit, janë ndërhyrje të kufizuara. Sapo ato të mbarojnë, është e paqartë se çfarë mjetesh të tjera ka në dorë Presidenti Donald Trump për të përmbajtur rritjen e çmimit të naftës, përveçse rihapjes së plotë të Ngushticës së Hormuzit.