Kompania austriake e shërbimeve publike Verbund nisi ndërtimin e atij që do të jetë parku i parë komercial i erës në Shqipëri – centrali "Spille" me kapacitet 72,6 MW, i vendosur në rajonin e Ultësirës Perëndimore të vendit.
Verbund bëri të ditur se janë përmbushur të gjitha parakushtet e përcaktuara në marrëveshjen për zhvillimin e projektit. Kompania fitoi të drejtën për të ndërtuar këtë central në ankandin e parë të Shqipërisë për kapacitetet e energjisë së erës, të zhvilluar në vitin 2023.
Parku i erës do të ndodhet në bashkinë e Rrogozhinës, pranë bregdetit të Adriatikut, dhe pritet të nisë operimet komerciale në tremujorin e parë të vitit 2028. Funksionimi i tij pritet të diversifikojë miksin e energjisë së rinovueshme në vend dhe të kontribuojë në forcimin e sigurisë energjetike. Centrali do të pajiset me 12 turbina të markës Nordex, me një prodhim vjetor të parashikuar prej 130 mijë Mwh.
Të gjitha punimet inxhinierike civile dhe ato të ndërtimit do të kryhen nga kompania Strabag.
"Me parkun e erës në Spille, Shqipëria hyn në një fazë të re të zhvillimit të sektorit të saj energjetik, duke e shndërruar potencialin e erës në përfitime konkrete për vendin," u shpreh Dietmar Reiner, drejtor menaxhues i Verbund Green Power.
Verbund, një prodhues i madh i energjisë hidroelektrike, po zgjeron aktivitetin e tij në prodhimin e energjisë nga era dhe dielli, me synimin që këto burime të përbëjnë 25% të prodhimit të tij total deri në vitin 2030. Kompania austriake operon tashmë hidrocentralin e Ashtës në Shqipëri.