Lajme nga vendi

Aeroporti i Vlorës/ Shoqëria konçesionare: Nuk jemi në vonesë për fajin tonë, të përkushtuar për zgjidhjen e ngërçit

Aeroporti i Vlorës/ Shoqëria konçesionare: Nuk jemi në

Shoqëria koncesionare e Aeroportit të Vlorës ka hedhur poshtë akuzat se projekti është në vonesë për shkakun e saj. Përmes një sqarimi të gjatë publik, Vlora International Airport thotë se projekti është realizuar më shpejt se sa parashikohej në kontratën konçesionare, për shkak të bashkimit të fazave të tij.

"Kontrata e Koncesionit e ka konceptuar zhvillimin e Aeroportit në disa faza të njëpasnjëshme. Megjithatë, gjatë zbatimit, VIA ka ndërmarrë një vendim investues me rëndësi të posaçme: të mos kufizohet në realizimin e kapaciteteve të fazës së parë, por të integrojë që në këtë fazë një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve dhe infrastrukturës së parashikuar për fazat e mëvonshme të Koncesionit," thotë VIA në reagimin e saj.

Sipas shoqërisë konçesionare, realizimi i punimeve ëshjtë ndjeshëm më i madh se sa ai që parashikohej në kontratën konçesionare, që e ndante ndërtimin me faza.

"Terminali i parashikuar fillimisht ishte rreth 5,000 m², ndërsa terminali që është realizuar sot është disa herë më i madh (mbi 22,000m2) dhe në një fazë të avancuar të përfundimit. Në të njëjtën mënyrë, ndërsa infrastruktura fillestare parashikonte një pistë prej rreth 3 kilometrash, sot është përfunduar një pistë prej 3.2 kilometrash, së bashku me një infrastrukturë aeroportuale shumë më të gjerë se ajo që i përkiste vetëm fazës së parë," sqaron kompania në njoftimin e saj zyrtar.

Sipas VIA-s, një tjetër arsye që po shkakton vonesa dhe që është përtej saj, lidhet me lejen e ndërtimit, e cila nuk po rinovohet nga autoritetet.

"Shoqëria Koncesionare ka paraqitur prej më shumë se tre muajsh kërkesën përkatëse për zgjatjen e afatit të Lejes së Ndërtimit dhe ka përmbushur procedurat që varen prej saj.
Megjithatë, deri më sot, procedura administrative nuk është përfunduar. Kjo do të thotë se VIA ndodhet aktualisht në një situatë ku nuk mund të vijojë ligjërisht punimet me intensitet të plotë, jo për shkak të mungesës së vullnetit apo kapacitetit për t’i realizuar ato, por për shkak të mungesës së një akti administrativ që mund të nxirret vetëm nga autoritetet kompetente shtetërore," thuhet në deklaratë.

Reagimi i plotë i VIA-s

Vlora International Airport sh.p.k. (“VIA”), në respekt të interesit publik dhe të nevojës për një informim të saktë dhe të plotë mbi ecurinë e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, e konsideron të nevojshme të sqarojë disa rrethana thelbësore që lidhen me gjendjen reale të projektit.

Në radhë të parë, nuk qëndron pretendimi se Shoqëria Koncesionare ndodhet në një gjendje vonese apo mospërmbushjeje kontraktore të atribuueshme asaj, sikurse është krijuar përshtypja në komunikimet publike të kohëve të fundit.

Një vlerësim i tillë nuk mund të bëhet duke iu referuar në mënyrë të izoluar një date të përcaktuar në programin fillestar, pa marrë në konsideratë ndryshimet thelbësore që kanë ndodhur gjatë realizimit të tij.

Kontrata e Koncesionit e ka konceptuar zhvillimin e Aeroportit në disa faza të njëpasnjëshme. Megjithatë, gjatë zbatimit, VIA ka ndërmarrë një vendim investues me rëndësi të posaçme: të mos kufizohet në realizimin e kapaciteteve të fazës së parë, por të integrojë që në këtë fazë një pjesë të konsiderueshme të kapaciteteve dhe infrastrukturës së parashikuar për fazat e mëvonshme të Koncesionit.

Për rrjedhojë, Aeroporti që ekziston sot është një projekt me përmasa dhe kapacitete ndjeshëm më të mëdha se ato të parashikuara për fazën fillestare.

Terminali i parashikuar fillimisht ishte rreth 5,000 m², ndërsa terminali që është realizuar sot është disa herë më i madh (mbi 22,000m2) dhe në një fazë të avancuar të përfundimit. Në të njëjtën mënyrë, ndërsa infrastruktura fillestare parashikonte një pistë prej rreth 3 kilometrash, sot është përfunduar një pistë prej 3.2 kilometrash, së bashku me një infrastrukturë aeroportuale shumë më të gjerë se ajo që i përkiste vetëm fazës së parë.

Pikërisht për këtë arsye, më 2 shkurt 2026, përpara datës së parashikuar të operimit, VIA i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke kërkuar formalizimin e bashkimit të fazave dhe përshtatjen përkatëse të afatit të realizimit.

Kjo kërkesë nuk është paraqitur pas krijimit të një situate vonese dhe as si përpjekje për të justifikuar një mospërmbushje. Përkundrazi, ajo është paraqitur paraprakisht, si rrjedhojë e ndryshimit substancial të përmasave dhe objektit real të investimit.

Për këtë arsye, nuk është as teknikisht dhe as kontraktualisht e drejtë që një projekt shumë më i madh se ai i parashikuar për fazën fillestare të matet sot sikur objekti i tij të kishte mbetur i pandryshuar.

Në të njëjtën kohë, ekziston një rrethanë tjetër me rëndësi të veçantë, e cila nuk mund të anashkalohet në çdo vlerësim objektiv të ecurisë së Projektit.

VIA është ende në pritje të zgjatjes së afatit të Lejes së Ndërtimit

Shoqëria Koncesionare ka paraqitur prej më shumë se tre muajsh kërkesën përkatëse për zgjatjen e afatit të Lejes së Ndërtimit dhe ka përmbushur procedurat që varen prej saj.
Megjithatë, deri më sot, procedura administrative nuk është përfunduar.

Kjo do të thotë se VIA ndodhet aktualisht në një situatë ku nuk mund të vijojë ligjërisht punimet me intensitet të plotë, jo për shkak të mungesës së vullnetit apo kapacitetit për t’i realizuar ato, por për shkak të mungesës së një akti administrativ që mund të nxirret vetëm nga autoritetet kompetente shtetërore.

Nuk mund t’i kërkohet shoqërisë koncesionare të përfundojë punimet brenda një afati të caktuar dhe, njëkohësisht, të mos i sigurohen kushtet administrative që e bëjnë juridikisht të mundur vazhdimin e tyre.

Për më tepër, vetë Kontrata e Koncesionit parashikon detyrimin e Autoritetit Kontraktues për të ofruar asistencën dhe bashkëpunimin e nevojshëm në lidhje me lejet, miratimet dhe procedurat administrative që lidhen me realizimin e Projektit.

Për rrjedhojë, një procedurë administrative që mbetet e papërfunduar nga autoritetet publike nuk mund të transformohet më pas në një pretendim për mospërmbushje të Shoqërisë Koncesionare.

Do të ishte juridikisht paradoksale që, nga njëra anë, Koncesionari të jetë në pritje të një vendimmarrjeje administrative pa të cilën nuk mund të vijojë normalisht punimet dhe, nga ana tjetër, pikërisht periudha e krijuar nga kjo pritje t’i atribuohet atij si vonesë.

Për këto arsye, paraqitja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës si një projekt thjesht “në vonesë” është një përshkrim i paplotë dhe i shkëputur nga realiteti teknik dhe kontraktor.

Realiteti është se VIA ka realizuar një investim me përmasa dukshëm më të mëdha se faza fillestare e parashikuar në Kontratë; ka kërkuar në kohë formalizimin e bashkimit të fazave dhe përshtatjen e afatit; ka një program teknik për përfundimin e Projektit; ndërsa sot vijimi normal i një pjese të punimeve kushtëzohet nga një procedurë administrative që ende nuk është përfunduar nga autoritetet kompetente.

Në këto rrethana, çështja nuk duhet të reduktohet në pyetjen nëse një datë kalendarike është tejkaluar.
Çështja duhet të vlerësohet mbi bazën e objektit real të investimit, përmasës së punimeve të kryera, përgjegjësive kontraktore të secilës Palë dhe kushteve administrative që duhet të ekzistojnë për përfundimin e ligjshëm të Projektit.

VIA mbetet plotësisht e angazhuar për përfundimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe vënien e tij në operim në kohën më të shkurtër të mundshme.
Interesi publik kërkon që një investim i kësaj rëndësie të përfundojë, jo që pengesat administrative jashtë kontrollit të Koncesionarit të shndërrohen artificialisht në përgjegjësi kontraktore të tij.

Editorial