Lajme nga vendi

Bashkia e Elbasanit do të hapë bujtina, agroturizme dhe lokale njësoj si kompani private

Bashkia e Elbasanit do të hapë bujtina, agroturizme dhe lokale

Bashkia e Elbasanit ka vendosur t'i hyjë aktivitetit të turizmit si një ndërmarrje private. Një javë më parë, kjo bashki themeloi një shoqëri aksionere të quajtur Eko Rural Elbasan, e cila do të ndërtojë ferma, bujtina dhe agroturizme dhe do t'i menaxhojë ato njësoj si një kompani private.

"Objekti i aktivitetit të shoqërisë do të jetë zhvillimi, administrimi dhe promovimi i agroturizmit, përfshirë ngritjen dhe menaxhimin e bujtinave, fermave turistike, aktiviteteve rekreative dhe edukative në zonat rurale," thuhet në ekstraktin e shoqërisë të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Por përveç kësaj, kjo shoqëri aksionet e të cilës zotërohen nga Bashkia e Elbasanit, do të kryejë edhe aktivitetin e grumbullimit të prodhimeve bujqësore nga fermerët dhe tregtimin e tyre në tregje.

"Krijimi ose marja me qira e pikave të grumbullimit për tergtimin e fruta-perimeve të freskëta dhe të përpunuara. Grumbullimi, përpunimi, amballazhimi dhe tregtimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij (djath, gjalp, gjizë etj)," vazhdon objekti i aktivitetit sipas dokumentave.

Bashkia e Elbasanit do të hapë bujtina, agroturizme dhe lokale

Me pak fjalë, Bashkia Elbasan ka krijuar një shoqëri publike, e cila do të bëjë gjithçka si të ishte një kompani private. Por kompanisë i është dhënë edhe e drejta të bëjë transaksione me pronat shtetërore dhe ato private.

"Administrimi, dhënia, marja me qira dhe në përdorim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në funksion të realizimit të objektit të shoqërisë. Krijimi i Sh.A-ve, Sh.p.k-ve, SH.B.B-ve apo shoqërive tregtare të ndryshme, me subjekte dhe grupim subjektesh, si dhe të marrë pjesë si anëtare bashkëthemeluese në Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, apo shoqëri të tjera tregtare," është njëra nga pikat e tjera të aktivitetit që mund të kryejë kjo shoqëri.

Krijimi i ndërmarrjeve shtetërore, të cilat mund të bëjnë transaksione me pronat shtetërore duke i tjetërsuar ato tek privatët është një fenomen në rritje, i cili ka krijuar jo pak shqetësim se këto subjekte mund të përdoren për të tjetërsuar pasuritë publike. Përtej kësaj, statuti i ndërmarrjes së krijuar nga Bashkia e Elbasanit e bënë atë potencialisht një superkorporatë tregtare.

Editorial