
Qeveria do të përcaktojë me ligj tavanin maksimal të interesave për kreditë konsumatore që qytetarët marrin në banka ose në institucionet e mikrofinancës, duke shënuar kështu shtyllën kryesore të projektligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorit të vitit 2026.
Ky mekanizëm i ri financiar vjen si një ndërhyrje për të ndalur fryrjen artificiale të borxheve të qytetarëve, duke diktuar rregulla të reja ku çdo kontratë që tejkalon këtë tavan të paracaktuar do të shpallet absolutisht e pavlefshme.
Përmes një rregullimi të përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë përgjegjëse, Norma Maksimale Efektive Vjetore e Interesit do të jetë e kontrolluar rreptësisht, duke përfshirë brenda saj interesin bazë dhe çdo tarifë apo komision të fshehur që deri më sot rëndonte mbi buxhetet familjare.
Paralelisht me vendosjen e këtij tavani, reforma e re ligjore merr në mbrojtje familjet në vështirësi financiare duke sanksionuar se penalitetet dhe kamatëvonesat për këstet e papaguara nuk mund të rriten më në mënyrë të pakontrolluar, por do të kufizohen në një masë maksimale prej 30 për qind të detyrimit kontraktor.

Në të njëjtën kohë, neni 40 i këtij projektligji i zhvesh bankat nga e drejta për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme metodologjinë e përllogaritjes së normës së interesit apo elementet e saj pa marrë më parë pëlqimin e shprehur dhe me shkrim të vetë konsumatorit.
Një goditje e fortë i jepet edhe abuzimeve me të ashtuquajturat kredi të keqija, pasi kompanitë që blejnë paketat e borxheve të papaguara nga bankat nuk do të kenë më asnjë hapësirë ligjore për të shtuar kosto, komisione apo interesa shtesë mbi vlerën origjinale të detyrimit.
Përdrejt mureve të institucioneve financiare, këto rregulla do të shtrihen mbi të gjithë tregtarët që operojnë në mjediset fizike dhe ato on-line në Republikën e Shqipërisë.
Ligji i ri godet drejtpërdrejt uljet fiktive të çmimeve përmes një rregulli të ri ku çdo njoftim për zbritje duhet të llogaritet mbi çmimin më të ulët të aplikuar nga tregtari gjatë të paktën tridhjetë ditëve të fundit përpara aplikimit të ofertës.
Po ashtu, bizneset detyrohen që të gjitha të dhënat, etiketat dhe mesazhet publicitare t'i ofrojnë në gjuhën shqipe, si dhe t'u përgjigjen zyrtarisht ankesave me shkrim të qytetarëve brenda një afati prej pesëmbëdhjetë ditësh kalendarike.
Ligji i ri shpall luftë të hapur edhe ndaj praktikave të njohura si mashtrime mjedisore, duke ndaluar përdorimin e termave gjenerikë si eko apo biologjik nëse produkti nuk gëzon një certifikim zyrtar.