Çmimi i naftës në pikat me pakicë do të rritet në 224 lekë për litër duke filluar nga ora 20:00 e kësaj të premte. Ndonëse qeveria i mëshoi gjatë paradites uljes me 20 për qind të akcizës mbi naftën, qytetarët shqiptarë do të paguajnë sërish çmim më të lartë pasi efekti i uljes së akcizës është gëlltitur nga rritja e çmimit të naftës në bursa.
Sipas vendimit të sotëm të Bordit, një litër naftë do të tregtohet në tregun e pakicës në 224 lekë, nga 218 lekë që ishte më parë, me një rritje prej 6 lekësh.
Sipas një akti normativ të miratuar nga qeveria, sa herë që çmimi i naftës në tregun vendas kapërcen nivelin 220 lekë për litër, atëherë akciza e naftës ulet automatikisht me 20 për qind, ose rreth 9 lekë për litër bashkë me efektin e TVSH-së.
Pa aktivizimin e klauzolës, që ul akcizën me 9 lekë, çmimi i naftës sipas Bordit do të ishte 233 lekë për litë.
Për benzinën çmimi mbetet i pandryshuar në 181 lekë për litër.
Vendimi i Bordit për rritjen e çmimit të naftës në pikat me pakicë erdhi pasi një ditë më parë çmimi i naftës në bursa kërceu me gati 200 dollarë për ton duke arritur nivelin 1617 dollarë.
