Qeveria do të zhvillojë për herë të parë Censin e Bujqësisë në rang kombëtar. Ministria e Bujqësisë ka përgatitur një projektligj të posaçëm, i cili ngarkon Institutin e Statistikave, që të kryejë Censin e Bujqësisë.
Sipas draftit, qeveria do të vërë në dispozicion 9 milionë euro për mbledhjen e të dhënave për sektorin bujqësor dhe atë blegtoral.
"Kosto totale për Censin e Bujqësisë e cila nevojitet të mbulohet nga buxheti i shtetit është 890,9 milionë lekë," thuhet në relacionin e draftit. Por cilat do të jenë të dhënat që do të mbledhë Censi i Bujqësisë?
Sipas draftit, ai do të regjistrojë gjithçka që ka të bëjë me ekonominë bujqësore të vendit, nga sipërfaqja e kulturave të mbjella, por edhe numri i bagëtive.
Kategoritë kryesore të të dhënave të mbledhura gjatë censit, janë:
a) karakteristikat e përgjithshme të njësive ekonomike bujqësore
b) të dhëna të hollësishme mbi tokën, sipërfaqen e kulturave bujqësore (bimë arash, pemëtari), pyjet dhe kullotat, në pronësi të NJEB;
c) të dhëna të hollësishme mbi numrin e krerëve, sipas kategorive kryesore blegtorale, përfshirë bletarinë;
d) të dhëna të tjera mbi metodat e prodhimit bimor, si edhe të dhëna mbi karakteristikat e punësimit të anëtarëve të njësisë ekonomike bujqësore dhe personave që nuk janë anëtarë të këtyre njësive, por të angazhuar në këtë njësi.
Dita e Censit do të përcaktohet nga INSTAT. Periudha e mbledhjes së të dhënave në terren përcaktohen në planin vjetor për zbatimin e Programit të Statistikave Zyrtare, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për statistikat zyrtare.