Lajme nga vendi

Policia shpall në kërkim biznesmenin Sokol Meqemeja për impiant gazi pa leje. Reagon kompania: Kemi zbatuar ligjin

Policia shpall në kërkim biznesmenin Sokol Meqemeja për impiant

Policia e Vlorës arrestoi dy inxhinierë të kompanisë Delvina Gas dhe shpalli në kërkim pronarin e saj, Sokol Meqemeja, me akuzën se po ndërtonin një impiant gazi pa leje në tokë publike, në zonën e Delvinës. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes Policisë së Vlorës dhe Sarandës, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) Tiranë dhe Inspektoratit të Mjedisit.

"Gjatë kontrollit u konstatua se kjo kompani po ndërtonte një impiant gazi (TEC), në pronë publike, pa leje ndërtimi dhe zhvillimi nga organet kompetente," bëri të ditur Policia e Shtetit përmes një njoftimi zyrtar.

Si rezultat Policia bën të ditur se ka arrestuar në flagrancë shtetasit Elton Malkaj dhe Luan Metaj, respektivisht përgjegjës i impiantit dhe përgjegjës i kantierit të ndërtimit, me akuzën e “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Pushtimit të tokës”, me qëllim përfitimi. Ndërkohë, pronari i kompanisë, Sokol Meqemeja, 56 vjeç, si dhe administratori, Juglerd Ibrahimi, 36 vjeç, janë shpallur në kërkim, të dy të dyshuar për të njëjtat vepra penale.

Por menjëherë pas njoftimit të policisë ka reaguar kompania. Përmes një njoftimi zyrtar “Delvina Gas Company” deklaroi se Impianti i Pastrimit nuk është TEC, por është pjesë integruese e pusit të gazit në Vendburimin e Delvinës.

"Duam të theksojmë se Impianti i Pastrimit nuk është TEC, por është pjesë integruese e pusit të gazit në Vendburimin e Delvinës. Ky impiant pastrimi ka 3 (tre) vjet që ka përfunduar ndërtimin dhe dy inxhinierët ishin thjesht mirëmbajtës të impiantit të pastrimit, i përfunduar tashmë së ndërtuari kohë më parë. Shoqëria “Delvina Gas Company”, degë e shoqërisë së huaj ka zbatuar çdo detyrim dhe rregullore duke ju përmbajtur hap pas hapi kuadrit ligjor në fuqi në sektorin hidrokarbur," thuhet në njoftim.

Sipas kompanisë, ngritja e impianteve të gazit në territorin e koncesionit është një e drejtë e ligjshme, që asaj i buron nga kontrata koncesionare, që ka me shtetin shqiptar.

"Në bazë të pikës 35 të Nenit 2 të Ligjit Nr. 7749, datë 28.07.1993 “Për Hidrokarburet”, i ndryshuar, citohet shprehimisht se: “Zhvillim” është ndërtimi dhe instalimi i pajisjeve për prodhimin e hidrokarbureve dhe shpimi i puseve të shfrytëzimit, në zbatim të Marrëveshjes Hidrokarbure përkatëse dhe në përputhje me një plan zhvillimi të miratuar," përfundon kompania reagimin e saj.

Editorial