Qeveria miratoi me vendim të posaçëm linjën e parë të kredisë që do të jepet me kushte të buta për fermerët. Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e fundit, qeveria ka vendosur 30 milionë euro në dispozicion si garanci shtetërore për kreditimin e sektorit të bujqësisë.
"Këshilli i ministrave vendosi miratimin e skemës së veçantë të garancisë shtetërore të huas, në vlerën 3 miliardë lekë, për garantimin e huamarrjes së subjekteve në sektorin e bujqësisë," thuhet në vendim.
Sipas dokumentet, skema e veçantë e garancisë shtetërore të huas është lëshuar në favor të 11 bankave që operojnë në Shqipëri. Norma e interesit me të cilët fermerët shqiptarë do të marrin kredinë nga bankat është nga 0.5 deri në 2 për qind në vit.
"Tani që ne ta kemi këtë linjë kredie nga BSH dhe të aksesohet fuqimisht, duhet nivel i lartë informimi për fermerët dhe nga ana tjetër një mesazh i qartë për bankat e nivelit të dytë të cilat e kanë firmosur për të dhënë kredi nga 0.5 përqind në 2 përqind, jo në 3.5, apo jo," tha kryeministri Rama pak ditë më parë.
Linja e kredive të buta për sektorin e bujqësisë financohet përmes dy mekanizmave nga shteti. Së para Banka e Shqipërisë krediton bankat private me interes minimal për fondet që ato japin si kredi për bujqësinë. Nga ana tjetër, qeveria përmes garancisë shtetërore garanton deri në 70 për qind të kredisë për bankën, në rast mos shlyerje nga fermeri.
Afati i kredive sipas këtij programi do të variojë nga 3 deri në 5 vjet, ndërsa sasia e kredisë që mund të marrë një individ nuk do të kalojë masën e 25 milionë lekëve të reja.