
Qeveria shqiptare mund të ndalojë investimet e huaja që vijnë nga vendet jashtë Bashkimit Europian, në një gamë të gjerë sektorësh të ekonomisë, të cilësuar si kritikë apo të ndjeshëm.
Përmes një vendimi të posaçëm, Këshilli i Ministrave ka miratuar një rregullore, e cila praktikisht i jep fuqinë ligjore qeverisë të hetojë dhe pastaj ndalojë investime të huaja, kur ato paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.
Sipas rregullores, të gjitha këto investime do të shqyrtohen nga një komitet i posaçëm ndërministror, i cili do të ketë përfaqësues nga disa ministri dhe agjencitë e inteligjencës së vendit. Ky komitet do të ketë fuqinë të anulojë edhe kontrata private, përfshirë shitjen e aksioneve të kompanive shqiptare tek investitorë të huaj jashtë BE-së, kur ata gjykohen si të papërshtatshëm.
"Vendimi i KNHID-së, që përcakton pavlefshmërinë absolute/të pjesshme, përmban anulimin e marrëveshjes së blerjes së aksioneve ose të marrëveshjeve të tjera të lidhura me investimin, përcaktimin e një afati kohor për përmbushjen e kushteve ose masave zbutëse, përcaktimin e masave të nevojshme për korrigjimin ose eliminimin e pasojave të investimit të ndaluar ose të pavlefshëm," thuhet në rregullore.

Por cilët janë sektorët, që konsiderohen si të ndjeshëm. Sipas rregullores, infrastruktura kritike e energjisë, teknologjisë së informacionit, transportit, shëndetësisë, ushqimit, bankat, media, mbrojtja, etj do të jetë pjesë e shqyrtimeve.
Kompanitë shqiptare të këtyre sektorëve që duan të shesin aksione tek kompani jashtë vendeve të BE-së duhet të kërkojnë më parë autorizim nga Komiteti Ndërministror. Nëse nuk e bëjnë këtë atëherë, komiteti fillon shqyrtimin e investimit nga zyra dhe merr vendim për ndalimin ose miratimin e tij.
Qeveria thotë se investimet ekzistuese nga kompanitë jashtë vendeve të BE-së nuk preken nga kjo rregullore, por mund të bëhen objekt shqyrtimi kur paraqesin rrezik real dhe të identifikueshëm për sigurinë ose rendin publik.