
Sekserët që përmes influencës së tyre ndikojnë vendimarrjen publike tashmë do të jenë të ligjshëm. Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj, i cili ligjëron lobimin në Shqipëri. Drafti i hartuar nga ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin sanksionon regjistrimin e detyrueshëm të lobistëve në Regjistrin Kombëtar të Lobimit.
"Miratimi i këtij projektligji përbën një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, duke i mundësuar publikut, institucioneve dhe mediave të kenë një pasqyrë të qartë mbi ndërveprimet dhe ndikimet që ushtrohen nga persona fizikë ose juridikë në procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes," thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit.
Sipas qeverisë, ligji do të kontribuojë në rritjen e besimit të publikut ndaj institucioneve shtetërore dhe proceseve demokratike, duke forcuar ndjesinë e përgjegjësisë dhe etikës publike.
"Përmes kësaj kornize ligjore, synohet rregullimi dhe formalizimi i një fushe që deri më tani ka qenë e pambuluar nga legjislacioni shqiptar, duke reduktuar hapësirat për ndikime të padrejta në nismat ligjvënëse dhe në politikat publike," thuhet në relacion.

Drafti per lobimin
Qeveria thotë se një nga objektivat themelore të projektligjit është krijimi i mekanizmave efektivë për administrimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë lobuese. Drafti është pjesë e paketës antikorrupsion.
"Projektligji ka gjithashtu një ndikim të drejtpërdrejtë në luftën kundër korrupsionit, pasi parashikon që çdo ndikim mbi proceset vendimmarrëse të jetë i deklaruar, i gjurmueshëm dhe i kontrollueshëm nga institucionet kompetente. Kjo qasje synon të parandalojë ndikimet e paligjshme dhe konfliktet e interesit, duke e bërë ndërveprimin ndërmjet grupeve të interesit dhe institucioneve publike më transparent dhe më të përgjegjshëm," pretendon qeveria.
Kompanitë që do të kryejë aktivitetin e lobimit do të regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Lobistëve, i cili do të administrohet nga Komisioneri për për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
"Lobisti nuk mund të ushtrojë veprimtari lobimi pa lidhur më parë një kontratë me shkrim me përfituesin e lobimit, përveç rasteve kur lobimi kryhet për interesa të drejtpërdrejta të tij. Kontrata dorëzohet pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e lidhjes dhe regjistrohet në Regjistrin e Lobimit," thuhet në draft.