Lajme nga vendi

Ligji i ri në Kuvend/ Shteti gjurmon portofolet kripto dhe i jep akses direkt BE-së

Ligji i ri në Kuvend/ Shteti gjurmon portofolet kripto dhe i jep akses

Nga 1 janari 2028, çdo portofol kripto-asetesh, llogari e parasë elektronike apo IBAN virtual i hapur në Shqipëri do të raportohet në kohë reale në Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare dhe do të jetë i aksesueshëm edhe për autoritetet e Bashkimit Evropian.

Ky është ndryshimi kryesor i projektligjit të depozituar në Kuvend që zgjeron rrjetën e mbikëqyrjes financiare. Deri më tani, shteti regjistronte vetëm llogaritë klasike bankare dhe kasetat e sigurisë. Me ligjin e ri, detyrimi për raportim të menjëhershëm shtrihet edhe tek ofruesit e shërbimeve kripto, institucionet e parasë elektronike dhe administruesit e titujve.

Çfarë do të shihet dhe kush ka akses?
Regjistri nuk do të tregojë gjendjen e llogarisë, sasinë apo vlerën e kriptomonedhave dhe as përmbajtjen e kasetave të sigurisë. Ai do të mbajë identitetin e mbajtësit, pronarët përfitues, personat e autorizuar, si dhe datat e sakta kur këto llogari apo autorizime janë hapur dhe mbyllur.

Të dhënat do të jenë të hapura në kohë reale dhe pa filtra për Agjencinë e Inteligjencës Financiare në Shqipëri. Për herë të parë, regjistri shqiptar do të lidhet me sistemin evropian BARIS, duke i dhënë akses të drejtpërdrejtë edhe Autoritetit Evropian kundër Pastrimit të Parave për hetime dhe analiza të përbashkëta.

Të dhënat e llogarive të mbyllura do të ruhen për 5 vjet (nga 10 vjet që është aktualisht), por ky afat mund të zgjatet edhe me 5 vjet të tjera nëse ka hetime për pastrim parash apo financim terrorizmi. Ndërkohë, përshtatja e sistemeve teknike të Tatimeve për këtë lidhje me BE-në do t'i kushtojë buxhetit të shtetit 40 milionë lekë. 

Kush detyrohet të raportojë tani?
Me ligjin e ri, rrethi i institucioneve që duhet të raportojnë në shtet zgjerohet ndjeshëm. Përveç bankave tradicionale, detyrimin për të njoftuar në kohë reale çdo hapje apo mbyllje llogarie e kanë edhe ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve që mbajnë portofole elektronike për klientët, institucionet e parasë elektronike dhe ato të pagesave (edhe për llogaritë pa IBAN), si dhe subjektet që administrojnë llogari titujsh. 

Po ashtu, ky detyrim shtrihet mbi çdo institucion krediti apo financiar që lëshon IBAN-e virtuale ose ofron kaseta sigurie.

Çfarë është Regjistri Qendror i Llogarive Bankare?
I krijuar me ligj në vitin 2020 dhe i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Regjistri Qendror i Llogarive Bankare është një bazë të dhënash elektronike shtetërore që funksionon si një "hartë" e llogarive financiare në vend. 

Ai nuk është publik dhe nuk tregon sa para ka një qytetar apo biznes në bankë, por mban të dhënat identifikuese të mbajtësve, pronarëve përfitues dhe personave të autorizuar. 

Qëllimi i tij është t'u japë akses të shpejtë institucioneve ligjzbatuese (si AIF, SPAK, Prokuroria, Policia, BKH, Tatimet dhe Doganat) për të gjurmuar llogaritë në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe mbledhjes së detyrimeve tatimore.

Editorial