Miliarderi Elon Musk ka njoftuar se do t'i dhurojë dy aksione të kompanisë SpaceX çdo fëmije në Shtetet e Bashkuara, në një iniciativë vlera totale e së cilës llogaritet në rreth 18 miliardë dollarë.
Përmes një postimi në platformën X, njeriu më i pasur në botë sqaroi se njëri aksion do të vijë nga vetë kompania e teknologjisë hapësinore dhe inteligjencës artificiale që ai drejton, ndërsa aksioni i dytë do të jepet nga pasuria e tij personale.
Më herët gjatë ditës, SpaceX kishte bërë me dije se do të emetonte aksione të reja për t'i dhuruar nga një të tillë çdo fëmije me llogari aktive investimi në kuadër të programit qeveritar “Trump Accounts”.
Si funksionon dhurimi prej 18 miliardë dollarësh?
Programi “Trump Accounts” është krijuar për t'u dhënë amerikanëve nën moshën 18 vjeç akses në tregun e aksioneve, duke u mundësuar të nisin ndërtimin e pasurisë që në moshë të hershme. Sipas Shtëpisë së Bardhë, deri në tetor janë hapur rreth 70 milionë llogari të tilla.
Me çmimin e mbylljes së aksioneve të SpaceX të mërkurën në nivelin 127.44 dollarë, vlera e përgjithshme e dhurimit arrin në gati 18 miliardë dollarë, ndërsa çdo fëmijë përfiton aksione me vlerë 254.88 dollarë. Ende nuk është konfirmuar nëse dhurimi personal i Musk do të lidhet drejtpërdrejt me këto llogari apo nëse do të ketë një periudhë bllokimi gjatë së cilës përfituesit nuk mund t'i shesin aksionet.
Një brez i ri aksionerësh të vegjël
Përtej aspektit filantropik, ekspertët e tregjeve ndërkombëtare vlerësojnë se kjo lëvizje krijon një bazë gjigante aksionerësh individualë me horizont afatgjatë dhe nxit edukimin financiar tek brezi i ri.
Musk, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 824 miliardë dollarë dhe që në qershor zotëronte rreth 6.42 miliardë aksione të SpaceX, e kishte paralajmëruar këtë nismë muajin e kaluar. "Dhurimi i drejtpërdrejtë i aksioneve, të cilat përfaqësojnë pjesë në ekonominë e së ardhmes, është rruga e duhur," ishte shprehur ai, duke shtuar se ky do të jetë vetëm i pari nga shumë dhurime të ngjashme.