Biznes

Qeveria spanjolle urdhëron fermerët të mbajnë 12% të vajit të ullirit jashtë tregut për të frenuar rënien e çmimeve

Qeveria spanjolle urdhëron fermerët të mbajnë 12% të

Spanja është futur në tregun e vajit të ullirit, një nga mallrat më të çmuara të Mesdheut, duke lëshuar një urdhër të paprecedentë për fermerët që të mbajnë një pjesë të prodhimit të tyre jashtë tregut për të parandaluar një rënie të çmimeve.

Ministria spanjolle e bujqësisë i udhëzoi fermerët të mbajnë 12 përqind të prodhimit të tyre vjetor nga tregu deri në fund të shtatorit 2027 në një urdhër zyrtar të publikuar të premten - dhe tha se ata nuk do të merrnin kompensim për ta bërë këtë.

"Masa synon të sigurojë fitimprurësinë e fermerëve dhe gjithashtu të mbrojë interesat e blerësve të vajit të ullirit", tha ministria, duke shtuar se do të përpiqet gjithashtu të "sjellë një stabilitet më të madh në treg, i cili do të përfitojë si prodhuesit ashtu edhe konsumatorët".

Urdhri që shënon një preçedent për Spanjën moderne erdhi ndërsa fermerët parashikuan një vjelje të bollshme ulliri për vitet 2026-27 pas disa vitesh në të cilat thatësira dhe nxehtësia ekstreme kufizuan prodhimin e "arit të lëngshëm".

Ai gjithashtu shfaqi mjetet e fuqishme në dispozicion të politikëbërësve për të ndërhyrë në tregjet bujqësore në një BE gjithnjë e më të shqetësuar për sigurinë ushqimore.

Masa, e cila hyri në fuqi menjëherë, vjen pas javësh gjatë të cilave çmimet e vajit të ullirit kanë rënë ndjeshëm, ndërsa furnizimet janë rikuperuar pas fillimit të vjeljes në shtator. Çmimet në mullinjtë në Andaluzi ishin mesatarisht 2.93 euro për kilogram gjatë javës deri më 1 nëntor, rreth 15% më pak se në fillim të shtatorit, sipas qeverisë rajonale.

Qeveria spanjolle urdhëron fermerët të mbajnë 12% të

Por ndërhyrja hasi në kundërshtime nga industria e vajit të ullirit dhe u cilësua si e rrezikshme nga rregullatori spanjoll i konkurrencës dhe tregjeve.

Primitivo Fernández, drejtor i përgjithshëm i Anierac – një grup tregtar që përfaqëson prodhuesit dhe paketuesit e vajrave ushqimorë – deklaroi për FT se fermerët ishin të shqetësuar për rënien e çmimeve, por theksoi se qeveria kishte zgjedhur një zgjidhje të gabuar.

“Këto masa janë vetëm të përkohshme dhe zbatohen vetëm në Spanjë; duke qenë se tregu është global, kjo është një zgjidhje tepër e thjeshtëzuar. Nuk do të na ndihmojë,” tha ai.

Pasi qeveria njoftoi se po shqyrtonte një hap të tillë, CNMC – rregullatori spanjoll i konkurrencës dhe tregjeve – paralajmëroi në tetor se kjo masë “mund të ketë ndikime shumë negative në konkurrencë dhe te konsumatorët”, duke kufizuar sasinë, cilësinë dhe shumëllojshmërinë e ofertës në treg.

Kyle Holland, analist i lartë pranë “Expana”, u shpreh: “Vaji i ullirit degradon... ndaj kjo nuk e zgjidh domosdoshmërisht problemin. Nëse e ruani vajin ‘ekstra i virgjër’, për shembull, për shtatë, tetë apo nëntë muaj... shumë shpejt ai nuk do të jetë më ‘ekstra i virgjër’.”

Holland shtoi se mbajtja e vajit jashtë tregut nuk do të kishte ndonjë ndikim të menjëhershëm në çmime, pasi blerësit e mëdhenj zotërojnë tashmë rezerva të bollshme. “Atëherë, pse duhet të nxitojnë të blejnë tani, kur nuk kanë nevojë për furnizime?”

Ministria bëri të ditur se sasia e vajit të ullirit që do të mbahet jashtë tregut arrin në 188 mijë tonë. Ajo njoftoi gjithashtu krijimin e një “grupi teknik” të ri, i cili do të monitorojë nëse fermerët po e zbatojnë urdhrin, përfshirë këtu edhe përmes kontrolleve në terren. Fermerët lejohen ta ruajnë vajin e ullirit në ambientet e tyre ose në objekte magazinimi të palëve të treta.

Spanja, prodhuesi më i madh i vajit të ullirit në botë, pret që prodhimi të rritet me 23 për qind këtë sezon, duke arritur në 1.6 milionë tonë – çka përbën korrjen e katërt më të madhe të regjistruar ndonjëherë. 

Kjo rritje vjen pasi reshjet e bollshme dhe temperaturat e buta të pranverës së kaluar favorizuan lulëzimin e pemëve dhe formimin e frutave. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, rezervat e mbartura në fillim të sezonit ishin gjithashtu mbi 20 për qind më të larta se një vit më parë.

Në Itali, një nga prodhuesit kryesorë, një kilogram vaj ulliri ekstra i virgjër u shit me një çmim mesatar prej 5,18 eurosh në javën e fundit të tetorit – pothuajse 38 për qind më pak se një vit më parë, sipas agjencisë kërkimore bujqësore Ismea. Megjithatë, çmimet u rritën me më shumë se 8 për qind krahasuar me javën e mëparshme.

Tommaso Loiodice, kreu i një shoqate italiane të kultivuesve të ullirit që përfaqëson 15 mijë prodhues, e mbështeti nismën e Spanjës dhe i bëri thirrje Italisë të ndjekë të njëjtën rrugë. "Spanjollët po veprojnë siç duhet," tha ai, duke kërkuar masa për të stabilizuar tregun, pasi çmimet e vajit të ullirit në Itali janë përgjysmuar pothuajse – nga 8,50–9,00 euro për kilogram vitin e kaluar, në 4,50–5,00 euro – ndërkohë që kostot e prodhimit janë dyfishuar.

Rënia e çmimeve ka alarmuar fermerët italianë; më shumë se 2 mijë prej tyre protestuan muajin e kaluar në qytetin jugor të Barit, duke paralajmëruar se vjelja po bëhet jofitimprurëse dhe duke kërcënuar se do t'i lënë ullinjtë në pemë nëse nuk marrin mbështetje nga qeveria.

Fernández theksoi se sektori i vajit të ullirit ka nevojë për "zgjidhje afatmesme dhe afatgjata", si dhe për përpjekje për të gjeneruar më shumë kërkesë në tregun global.

Legjislacioni i BE-së lejon që vaji i ullirit të mbahet jashtë tregut, me kusht që masa të jetë proporcionale dhe të mos e çrregullojë tregun në mënyrë të pajustifikuar. Komisioni Evropian nuk u përgjigj menjëherë ndaj një kërkese për koment mbi dekretin spanjoll.

Sipas Holland-it, edhe pse çmimet kanë rënë, vaji i ullirit mbetet një produkt që kërkon "shqyrtim para blerjes" dhe jo një artikull bazë, veçanërisht në një kohë kur konsumatorët përballen me fatura më të larta për energjinë dhe ushqimet thelbësore.

Financial Times

Editorial