Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka vendosur një gjobë rekord prej 1.2 miliardë dollarësh ndaj Bank of America (banka e dytë më e madhe në SHBA), pasi u zbulua se kishte dështuar në zbulimin dhe raportimin e aktiviteteve të dyshimta të pastrimit të parave dhe shkeljes së sanksioneve.
Banka akuzohet se dështoi të raportonte më shumë se 5 miliardë dollarë në transaksione të dyshimta. Prej tyre, të paktën 1 miliard dollarë përbënin rreziqe të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare.
Transaksionet e paligjshme lidheshin kryesisht me rrjetet kineze të pastrimit të parave, financim të paligjshëm dhe pastrim parash me bazë tregtare përgjatë kufirit jugperëndimor të SHBA-së dhe transaksione që kalonin lehtësisht mes SHBA-së dhe vendeve si Rusia, Bjellorusia, Irani dhe Meksika.
Sipas Thesarit Amerikan, banka kishte vendosur një sistem ku praktikisht "ia linte në dorë palëve të treta" detyrimin e saj ligjor për të zbuluar dhe raportuar këto krime financiare, në vend që të përdorte kontrollet e veta të brendshme. Bank of America ka pranuar se ka "shkelur me vetëdije" Aktin e Sekretit Bankar.
Kjo është gjoba e tretë më e madhe në historinë e Departamentit të Thesarit të SHBA-së (pas Binance në 2023 dhe TD Bank në 2024). Ajo përfshin 750 milionë dollarë gjobë nga OCC (Zyra e Kontrollorit të Monedhës), që shënon gjobën më të madhe civile të vendosur ndonjëherë në historinë e këtij institucioni rregullator si dhe 11.6 milionë dollarë marrëveshje me OFAC (Zyra e Kontrollit të Pasurive të Jashtme) për 475 shkelje të dukshme të programeve të sanksioneve ndaj terrorizmit global, narkotikëve dhe shteteve si Irani e Rusia.
Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, deklaroi: "Kur një bankë e kësaj madhësie dështon të përmbushë detyrimet e saj, pasojat shkojnë përtej mureve të saj, duke ekspozuar të gjithë sistemin financiar të SHBA-së ndaj rreziqeve të financimit të paligjshëm. Kjo dërgon një mesazh të qartë se as institucionet më të mëdha financiare nuk janë mbi ligjin.