
Biznesmeni Samir Mane, ka zgjedhur një lojë unike fjalësh për të njoftuar njërën prej lëvizjeve më të rëndësishme strategjike të biznesit të tij në Europën Perëndimore.
Përmes tri shtyllave – Bonn, Beethoven dhe Balfin – Mane ka zbërthyer hapin e tij më të fundit: hyrjen zyrtare të konglomeratit shqiptar në tregun ekonomik të Gjermanisë.
Në qendër të këtij investimi është qyteti historik i Bonit (Bonn), ish-kryeqyteti i Gjermanisë Perëndimore dhe vendlindja e kompozitorit të madh botëror, Ludwig van Beethoven.
Por sot, kjo vendndodhje shënon edhe fillimin e një simfonie të re biznesi për Grupin BALFIN. Kompania ka blerë zyrtarisht ndërtesën ikonike të qendrës tregtare Galeria Kaufhof Bonn, një hapësirë gjigante prej 23,300 m² e pozicionuar në zemër të qytetit.
Për Samir Manen, lidhja mes këtyre tri elementeve nuk është thjesht një rastësi gjeografike apo gjuhësore, por një simbolikë e qartë e suksesit dhe ambicies. Ashtu si Boni që mban emrin e Beethoven-it si trashëgimi të vlerave të mëdha, BALFIN synon të lerë gjurmën e tij në tregun e pasurive të paluajtshme dhe retail-it gjerman përmes këtij projekti madhor.
Objekti i blerë në Bon, i cili deri dje shërbente si një pikë kyçe e rrjetit të dyqaneve të mirënjohura "Galeria", tashmë do të kalojë nën menaxhimin e BALFIN, duke sjellë një frymë të re zhvillimi në zonën komerciale të qytetit. Ky investim e zgjeron praninë globale të grupit shqiptar në 14 shtete të ndryshme, duke konsoliduar pozicionin e tij si një lojtar me peshë ndërkombëtare.
"Qëndroni me ne për të tjera zhvillime të reja teksa zgjerohemi në një prej kombeve më të mëdha në tokë", ka paralajmëruar Samir Mane, duke lënë të kuptohet se kjo treshe fillestare "Bonn, Beethoven, Balfin" është vetëm uvertura e një projekti shumë më të madh në Gjermani.
