Bizneset që kanë kryer punë, furnizime apo shërbime më shumë se 3 apo 5 vite më parë, nuk do të mbeten më automatikisht jashtë tenderëve publikë. Me ndryshimet e reja në rregullat e prokurimit publik, institucionet shtetërore fitojnë të drejtën të pranojnë edhe eksperiencën e vjetër të kompanive, sa herë që tregu ka pak konkurrencë.
Deri më sot, rregulli ishte i prerë: nëse nuk kishe punë të ngjashme në 5 vitet e fundit (për ndërtimet) ose në 3 vitet e fundit (për mallrat dhe shërbimet), skualifikoheshe. Kjo linte jashtë loje mjaft kompani serioze me histori të gjatë, thjesht sepse në vitet e fundit nuk kishte pasur projekte të të njëjtit lloj në treg.
Megjithatë, kjo hapje nuk do të jetë automatike në çdo tender — vendimi mbetet tërësisht në dorën dhe diskrecionin e vetë institucionit që zhvillon garën. Vetëm kur autoriteti kontraktor vlerëson se afati 3 ose 5-vjeçar po lë në garë një numër shumë të kufizuar kompanish dhe po pengon konkurrencën, ai mund të vendosë në dokumentet e tenderit që të pranojë kontrata të realizuara edhe më herët në kohë.
Për sipërmarrjet kjo do të thotë më shumë fleksibilitet dhe pavarësi: sa herë që institucionet do ta hapin këtë dritare, portofoli i dikurshëm rikthehet në vlerë dhe kompanitë nuk detyrohen më të hyjnë në bashkime artificiale me firma të tjera vetëm për të plotësuar letrat e eksperiencës.