Inxhinierja shqiptare Mira Murati, ish-drejtuesja e njohur e OpenAI, është shumë afër mbylljes së një raundi masiv mbledhje fondesh prej 5 miliardë dollarësh për startup-in e saj të inteligjencës artificiale, Thinking Machines Lab (TML).
Ky financim gjigant po udhëhiqet nga firma prestigjoze e kapitalit sipërmarrës Accel dhe pritet të mbyllet zyrtarisht brenda pak ditësh.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare si Business Insider, interesi për këtë raund është aq i lartë sa në diskutime për të kontribuar me kapital ka qenë edhe gjiganti botëror i çipeve, Nvidia.
Çfarë do të thotë ky investim për kompaninë?
Me këtë injeksion prej 5 miliardë dollarësh cash, investitorët pritet të marrin në shkëmbim rreth 12.5% të aksioneve të kompanisë. Ky kapital i freskët do të përdoret për të financuar kërkimin e avancuar shkencor, blerjen e fuqisë së madhe kompjuterike (serverave) dhe punësimin e talenteve të reja.
Gjithashtu, ky raund i ri e ngre vlerën totale të kompanisë në treg në një shifër marramendëse prej 40 miliardë dollarësh. Kjo përbën një rritje spektakolare, duke pasur parasysh se në korrik të vitit 2025, gjatë raundit fillestar, kompania vlerësohej në 12 miliardë dollarë. Besimi i investitorëve është trefishuar brenda pak më shumë se një viti.
Sfidat me stafin dhe kundërpërgjigjja me produkte të reja
Suksesi në mbledhjen e fondeve vjen pas një periudhe sfiduese për startup-in. Muajt e fundit, TML kaloi një "luftë talentesh", ku rreth një e treta e ekipit fillestar – përfshirë bashkëthemeluesit Barret Zoph dhe Luke Metz – u larguan drejt rivalëve si OpenAI dhe Meta, të tërhequr nga paketa financiare tejet të larta.
Megjithatë, kompania e Muratit ka dëshmuar progres të shpejtë në treg. Paralelisht me lëvizjet financiare, Thinking Machines Lab lançoi së fundmi sistemin Tinker, i cili u mundëson bizneseve të trajnojnë modelet e AI me të dhënat e tyre private në mënyrë të sigurt.
Gjithashtu, kompania prezantoi modelin me kod të hapur Inkling 2 Small, i cili ka marrë vlerësime të larta për përmirësimet e mëdha në kodim dhe logjikë analitike.