Nisma Thurja ka depozituar në SPAK kallezimin për fillimin e hetimeve për zyrtarët e lartë të përfshirë në procedurat e miratimit të koncesionit të portit Marina Vlorës, si dhe të procedurave për dhënien e statusit investitor strategjik për Marina di Valona, duke përfituar transferimin e 57 mijë metrave katrorë truall publik në zonën pranë portit të Vlorës.
Sipas padisë së Nismës, e njëjta kompani që ka përfituar koncesionin e portit Marina Vlorë, është shpallur fituese edhe e kontratës së qirasë simbolike 1 euro për truallin publik pranë portit. Por, shpallja e fituesit është bërë në shkelje të barazisë së tenderave, pasi operatorët e tjerë nuk kanë patur dijeni në lidhje me rrethanat e plota të këtij tenderi. Në padi thuhet se vlen për t’u hetuar kush kanë qënë motivet që i kanë shtyrë zyrtarët publik të përfshirë në këto procedura që të mos shpallin një tender të ri kur ndryshuan kushtet e tenderit, ndryshuan tekstin kontratave të miratuara, dhe lejuan ndryshimin e pronësisë së operatorëve të përfshirë në tender. Padia e plotë: Paditësi: Nisma Thurje, Adresa: Rruga Jan Kukuzeli, Nr.52, Tiranë [email protected] Objekti i padisë: Nisja e hetimit për zyrtarët e lartë public të përfshirë në procedurat e miratimit të koncesionit të portit Marina Vlorës, si dhe të procedurave për dhënien e statusit investitor strategjik për Marina di Valona, duke përfituar transferimin e 57 mijë metrave katrorë truall publik në zonën pranë portit të Vlorës. Baza ligjore: Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, Nenet 143/a/2; 244 dhe 245; 248 dhe 258 Ligji 125/2013 për koncesionet dhe partneritetin publik privat; VKM 575 për miratimin e rregullateve për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat; VKM 599 datë 13.10.2021 Rrethanat e padisë, faktet dhe provat: Me datë 29 Mars 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, më poshtë referuar si MIE, njoftoi publikisht se komisioni i vlerësimit të ofertave kishte shpallur fituesit e koncesionit të projektit të portit të Vlorës bashkimin e përkohshëm të shoqërive “Marina di Valona” sh.p.k, “Marina Projects” ltd , “Brunes” sh.p.k. dhe “Ndregjoni” sh.p.k[i], më poshtë referuar si “koncesionari”. Në dokumentet e procedurës së koncesionit[ii], objekti i kontratës, sipas përcaktimeve në kontratën tip, Neni 2, pika 2.1, faqjet 20 dhe 21, përshkruhet si më poshtë: Autoriteti Kontraktues (AK) nëpërmjet kësaj Kontrate dhe në përputhje me parashikimet e saj dhe me Ligjet, i jep Koncesionarit të drejtat Koncesionare për, ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e pronësisë në favor të shtetit, AK në përfundim të koncesionit, të një porti turistik “Marina Vlorë” në nje pjese te territorit te [sic] portit aktual tregtar të Vlorës në Vlorë, në përputhje me ofertën e paraqitur dhe të pranuar nga AK, si dhe me kushtet e kësaj kontrate. AK nëpërmjet kësaj Kontrate dhe në përputhje me parashikimet e saj dhe me Ligjet në fuqi, i njeh Koncesionarit mundësinë të ofrojë të gjitha llojet e shërbimeve të parashikuara në ofertën e paraqitur dhe të pranuar nga AK, si edhe shërbime mbështetëse të nevojshme për mirëfunksionimin e Portit, në përputhje me kushtet e kësaj kontrate. Me datë 30 Korrik 2021, MIE dhe koncesionari nënshkruajnë kontratën për dhënien me koncesion/partneritet publik privat të një porti turistik në qytetin e vlorës “Marina Vlorë. Objekti i koncesionit, është artikuluar i ndryshuar si më poshtë (Neni 2, pika 2.1, fq.13): Me anën e kësaj kontrate, autoriteti kontraktues i autorizuar nga ligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik/privat” të ndryshuar, jep me koncesion të formës BOT (që do të thotë ndërtim, operim dhe transferim tek autoriteti kontraktor, në përfundim të marrëveshjes së koncesionit) të një port turistik të jahteve. ‘’Marina Vlorë” në portin e Vlorës, Vlorë. Autoriteti kontraktues i njeh Koncesionarit mundësinë të ofrojë të gjitha llojet e shërbimeve sipas legjislacionit në fuqi për mirëfunksionimin e portit të parashikuara në ofertën e paraqitur dhe të pranuara nga AK. Paralelisht, me këtë koncesion, i cili ishte i kufizuar vetëm në ndërtimin e portit “Marina Vlora” brenda territorit të portit aktual tregtar të Vlorës, Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), me vendim Nr. 4/3, datë 29 Mars 2021 miratoi statusin “investim/investitor strategjik procedurë e veçantë” për projektin e investimit Marina di Valona, për një periudhë gjashtë vjeçare. Vendimi, në mënyrë eksplicite shpjegon se komiteti ka vendosur miratimin e statusit të investitor strategjik për ‘Marina di Valona’ “…specifikisht për zhvillimin e njësive akomoduese, hoteleri e shërbime të standardizuara të zonës në kufi me infrastrukturën portuale koncesionare, në ZK.Nr.8602” (neni 1, fq.2). Në nenin 3 të vendimit qartësohet se objekti i vendimit është zhvillimi i “zonës në kufi me projektin koncensionar të Marina Vlorë, nëpërmjet realizimit të strukturave akomoduese, zonave rezidenciale dhe shërbimeve në funksion të tyre” (neni 3, f.3). Ndërsa në nenin 2 të vendimit sqarohet se: Projekti “Marina di Valona” do të realizohet nga bashkimi i shoqërive (JV) “Marina Di Valona” SHPK NIPT M01324008A, “BRUNES” SH.P.K NIPT K37125203H, “NDREGJONI” SH.P.K NIPT K31329048I DHE “MARINA PROJECTS” L.T.D Me numër regjistrimi 04182366. Pra, sipas Vendimit 4/3 29.03.2021 të KIS, po i njëjti bashkim operatorësh që ka fituar koncesionin e projektit të Marina Vlorë, është shpallur njëkohësisht edhe investitor strategjik për të zhvilluar zonën në kufi me portin duke përfituar:- Vendosjen në dispozicion e pasurive shtetërore, konkretisht pronat që kanë qënë në pronësi të shoqërisë “Porti Detar” për zhvillimin e projektit.
- Suport për krijimin e mundësisë për lidhjen me pikat ekzistuese të energjisë, kanalizimeve dhe furnizimit me ujë, sipas kapaciteteve të nevojshëm në përputhje me parashikimet në instrumentet përkatëse nga organet e planifikimit.